Ambasada Italiane në vendin tonë ka reaguar në lidhje me çështjen e njohjes së patentave shqiptare në vendi fqinj. Me një postim në Twitter, Ambasada bën me dije se marrëveshja mbi patentat ka hyrë në fuqi që më 12 korrik, por thekson se është duke u punuar për të zgjidhur disa probleme teknike.
“Lidhur me Marrëveshjen mbi patentat, e cila ka hyrë në fuqi më 12 korrik, ju informojmë se janë duke u kryer verifikime për të zgjidhur disa probleme teknike për të bërë të mundur që të interesuarit të mund të paraqesin sa më shpejt kërkesë për konvertimin e patentave të tyre”, thuhet në postimin e Ambasadës Italiane në Twitter.
Marrëveshja për njohjen reciproke të patentave në Itali u konkretizua më 11 mars dhe do të jetë e vlefshme për 5 vite dhe në përfundim të këtij afati palët kanë të drejtë të ulen në diskutime për të vijuar me rinovimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të mos ndodhë ndërprerje qoftë edhe e përkohshme në konvertimin e lejeve të drejtimit.
Si pasojë e kësaj marrëveshje, tashmë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë marrë një leje drejtimi në Shqipëri do të kryejnë konvertimin, pa pasur nevojë për prova teorike dhe praktike, përveçse në situata të veçanta, në të cilat është e nevojshme një provë praktike drejtimi.
Kjo marrëveshje u arrit pas një vizite të Ramës në Itali, ku u kërkoi autoriteteve italiane zgjidhjen përfundimtare për njohjen e patentave shqiptare në Itali.