Nga Dritan Hila/ Dje rrjeti (them rrjeti se populli ka halle te tjera), kishte plasur ne revoltë për sjelljen e Policisë Bashkiake ndaj dy te moshuarve. Kishin mjaftuar dy video.
Ia fal histerinë kolektive turmave, por nuk ia fal gazetarëve që i zë purtha me keq se turmat, kur minimalisht duhet të pyesin për rastet. Unë e bëra pasi është minimalja, adresimi i problemit.
Në fakt nuk kam pikë simpatie për këtë polici e cila çohet që në 5 të mëngjesit të vërë gjoba parkimi në çdo skutë dhe kryetarin e saj që të kujton kapterët prusianë. Por çfarë është e Çezarit është e tij, ndaj edhe dy pika mbi i , duhen vënë.
Rasti i plakut që rrëzohet nuk është video e plotë. Plaku ka qëlluar me shkop Policinë Bashkiake dhe është rrëzuar pasi ka humbur ekuilibrin. Megjithatë dy policët janë shkarkuar ne vend.
Në këtë rast duhet përgëzuar studioja kinematigrafike e gërmadhës digjitale.
Sa i përket rastit të plakës, zonja e ka praktikë që del në Rrugën e Durrësit, përpara dyqaneve që paguajnë qira sa frëngu pulën dhe nuk e duan aspak për dekor në hyrje të tyre (po e lë mënjanë skenografinë që krijon për një të huaj që vjen nga Rinasi). Ndërkohe që ka një treg pikërisht për këta ambulante.
Une nuk i mirëkuptoj fare këta persona abuzivë. Mbase këta të zonave rezidenciale që i zë meraku për nonën kane regjistër tjetër ndjenjash, por unë që jetoj në Tiranë dhe i kam nëpër këmbë e kam problem sistemimin e qytetit. Tirana është mjaftueshëm një qytet problematik për hapësirat dhe duhen edhe këta shitës që të kthehet në Kabul. Halle kemi të gjithë por kjo nuk na jep të drejtë që të sulmojmë hapësirën e tjetrit.
Pastaj të qarat dhe klithmat për nënën pensioniste që mbante fëmijët me prodhimet që shiste, janë shumë të shtira. Janë tepër fallco dhe të tejkaluara që nga Revolucioni Francez.
Tashmë Tirana ka 11 tregje të shpërndara në hapësirën e qytetit me zero taksë. Domethënë për pastrimin e bishtave që lënë pas shitësit, rishtas paguajmë ne. Por shitësit kanë hall t’ia fusin shokut që rri te tregu , duke kapur klientin në burim. Epo ky nuk është halli im. Halli im është trotuari që më zënë dhe pisllëku që lënë pas.
Unë e kuptoj që kjo është uvertura e një fushate kundër Erion Veliajt. Per këtë do kemi kohë të flasim sapo të shohim konkurentin nga opozita. Por në këto raste bëhet fjalë nëse do vendosim të jetojmë në një zonë urbane apo në kaosin qe e kemi provuar. Pasi në vazhdofshim kështu, atëhere duhet të mirëkuptojmë edhe urinimet në Lanë për shkak të prostatës, apo kioskat në parkun “Rinia” për të mbajtur kalamajtë. Një fije peri i ndan.