Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë arrestuar 4 persona, të përfshirë në një skemë mashtrimi me vlera të mëdha.

Prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj në një konferencë për shtyp deklaroi se janë arrestuar 2 shqiptarë dhe 2 të huaj.

“Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit si dhe Policinë Vendore të Drejtorisë së Tiranës ka arritur që të finalizojë me sukses operacion të rëndësishëm, pas hetimeve intensive dhe efektive duke arrestuar 4 persona të cilët janë përfshirë në një skemë mashtrimi me vlera të mëdha. Për shkak të rëndësisë së operacionit, por edhe për shkak të rëndësisë së interesave të prekura dhe pasojave të ardhura në raport me masën e prekur në raport më gjënë, jemi këtu në këtë konferencë për t’u bërë të ditur rezultatet e këtij operacioni, veprimet e kryera të përfshirë shtetas të huaj të cilët qarkullojnë në territorin e Shqipërisë me dokumente të falsifikuara dhe qëndrojnë këtu prej disa kohësh”, tha Imeraj.

Policia e Shtetit bëri të ditur detaje nga ky operacion ku theksohet se “situata kriminale e ndjekur nga “Njësia C – Hetimi i krimeve kibernetike“, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjyqësor Tiranë kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit të pagesës nëpërmjet postës elektronike për mashtrimin e shtetasve nëpërmjet krijimit të subjekteve tregtare fiktive, duke ridrejtuar transaksionet bankare të subjekteve tregtare etj. Kjo goditje e kësaj skeme kriminale realizohet për herë të parë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

“Kjo skemë quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”, pasi këta shtetas, në bazë të dyshimeve të arsyeshme, së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje me pamje të njëjtë me të vërtetin”, saktëson policia.

Që kjo skemë të funksiononte, këta shtetas kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Subjektet që janë verifikuar deri më tani si subjekte tregtare fiktive dhe të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që më pas në emër të tyre janë hapur numra llogarish bankare janë:

CONNECTA INTERCONTINENTAL SHPK
WORLDWIDE GO LTD
WORLDWIDE TRADING LIMITED
AFRICAN-ALBANIAN COMERCE
KWOK TANG SHPK,
KRACO LIMITED SHPK
MICHAEL ODYLON LAGMON ROMERO SHPK
PILATUS AIRCRAFT LTD SHPK
TANG KËOK YUE SHPK
LEKLIFARM GLOBAL sh.p.k
MAIBOM GBMH
HORTIFEEDS
TEST FUCHS GBMH
GS ECOMETAL CO LTD
ECI PHARMACEUTICALS LLC
AGNES KATBETH KREIMER
XHENTIL KUPE
Deri tani janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi nga vende të ndryshme të botës dhe më saktësisht nga SHBA, Gjermani, Angli, Turqi, Belgjikë, Zvicër, Finlandë Lituani dhe Filipine.

Po ashtu janë evidentuar llogaritë bankare të hapura në bankat e nivelit të dytë dhe në bashkëpunim të ngushtë me këto banka janë mbajtur në kontroll transaksionet e kryera nga këta shtetas nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara prej tyre, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Vlerat monetare të evidentuara dhe të dyshuara si të ridrejtuara si pasojë e kësaj skeme kriminale janë rikthyer tek subjektet që i kanë dërguar ato duke minimizuar dëmin dhe viktimat e mundshme.

Deri më tani dyshohet se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin e tyre kriminal për një periudhë të gjatë kohore prej rreth 2 vjetësh dhe së bashku me shtetas të paidentifikuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të kenë kryer mashtrime të pagesës nëpërmjet postës elektronike në një shumë prej rreth 4.000.000 eurosh.

Me cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

1 automjet i markës Huyndai
3 pajisje kompjuterike laptop
11 telefona celularë
20 karta SIM
2 pajisje kompjuterike tablet
3 vula subjektesh
8 karta krediti/debiti
9 karta memorie
Pajisje të tjera elektronike ndihmëse etj.
Dokumente të ndryshme si vërtetime bankare, fatura bankare, fotokopje pasaportash shtetasish shqiptarë e të huaj, ftesa për leje qëndrimi, kontrata të ndryshme noteriale, prokura përfaqësimi etj.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e subjekteve të tjera tregtare fiktive të çelura në territorin e Republikës së Shqipërisë, evidentimin e të gjitha subjekteve të tjera tregtare të mashtruara nëpërmjet kësaj skeme dhe evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, njofton Policia.