Ndërsa lehtësohet situata e pandemisë së koronavirus në Shtetet e Bashkuara, ekspertët thonë se një numër i paprecedent njerëzish po zgjedhin të lënë punën e tyre. Korrespondentja Deana Mitchell njofton nga qyteti Austin në Teksas. Gjatë pandemisë, Lipika Ramaswamy punoi nga shtëpia në Teksas si shkencëtare e përpunimit të të dhënave për një kompani në San Francisko të Kalifornisë. Ajo donte të qëndronte në Teksas me motrën e saj, derisa gjërat të ktheheshin “në normalitet”. Ajo është ende duke pritur. Në muajin qershor, kur punëdhënësi i kërkoi të kthehej në zyrë, ajo dha dorëheqjen. “Pandemia ende nuk ka marrë fund. Nuk e di kur do të vijë vala tjetër, nëse vjen, ose nëse do të jetë e rëndë. Preferoj që të jem këtu rreth familjes time dhe të kem më shumë hapësirë, nëse ndodh.”
Ajo nuk është e vetme. Gati katër milion njerëz, ose 2.7% e fuqisë punëtore amerikane, dhanë dorëheqjen vetëm në prill, sipas Departamentit të Punës, niveli më i lartë i dorëheqjeve brenda një muaji në 20 vitet e fundit. Maji dhe qershori shënuan shifra pak më të ulta.
Eksperti i biznesit, Anthony Klotz që ka ndjekur nivelin e dorëheqjeve nga puna, parashikon atë që ai e quan “Dorëheqje Masive”.“Gjatë dekadës së fundit në Shtetet e Bashkuara numri dhe shkalla e dorëheqjeve ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2020 për shkak të pandemisë, pati një pauzë, ndaj mendova se ka ndoshta një numër të madh individësh, që përndryshe do të jepnin dorëheqjen nga puna, të cilët i pezulluan planet gjatë pandemisë”, thotë për Zërin e Amerikës profesori Anthony Klotz i Universitetit A&M në Teksas.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ai thotë se mes faktorëve të tjerë që përshpejtojnë dorëheqjet, janë lodhja e punonjësve në vijën e parë të frontit gjatë pandemisë, dëshira për të vazhduan punën nga distanca dhe rivlerësimi i përparësive në jetë, apo një kombinim i tyre.
Kim Frankel braktisi një karrierë 20 vjeçare në arsim, së fundmi drejtoreshë shkolle në Kaliforni, sepse puna e kishte lodhur dhe dëshironte të ishte pranë familjes në shtetin Tenësi. “Roli i arsimtarëve gjatë 15 muajve të fundit ka qenë një çmenduri. Po ashtu puna të konsumon në veprimtarinë e përditshme me fëmijët, prindërit dhe stafin përballë situatës së pandemisë.”
Stresi i krijuar nga pandemia bëri që shumë njerëz të shqyrtonin përparësitë e tyre, thotë për Zërin e Amerikës Andreea Vanacker, shefe ekzekutive e kompanisë SPARKX5, e cila punon me kompanitë për të përmirësuar ndjenat e punonjësve. “Njerëzit mendojnë se, nëse më ka mbetur kaq kohë për të jetuar, si mund të sigurohem që jam në rrugën e duhur, duke bërë atë që vërtetë dua?”
Kompanitë po përpiqen të gjejnë rrugën e duhur, sidomos për punonjësit që duan të punojnë nga shtëpia dhe jo në zyrë. Shumë biznese po caktojnë data për t’u kthyer në zyrë dhe po hartojnë politika të reja për punën nga distanca. Kompani si Apple, kanë dalë me idenë që punonjësit të punojnë tre ditë në zyrë dhe dy ditë nga shtëpia, duke filluar nga tetori.
Puna e re e zonjës Ramaswamy, për një kompani me qendër në San Diego të Kalifornisë, është tërësisht nga distanca. “Shumë prej nesh po jetonim në qytete, sepse nuk kishte asnjë mundësi tjetër për karrierën tonë”. “Po futemi në një epokë eksperimentale kur bëhet fjalë për mënyrën e punës dhe përshtatjen nga organizatat. Ndaj drejtuesit nuk po ngrenë supet për dorëheqjet e punonjësve, por po bisedojnë dhe po i dëgjojnë ata dhe pastaj po veprojnë”, thotë për Zërin e Amerikës profesori Anthony Klotz i Universitetit A&M në Teksas.
Vala e dorëheqjeve nga puna ka të ngjarë të vazhdojë për muaj me radhë, ndërsa punonjësit ndërrojnë karrierat apo kompanitë. Ajo që është epasigurtë është se si do të duket kultura e punës kur të rikthehet normaliteti./VOA