Nga Alfred Peza
Prej disa javësh në mediat shqiptare, janë hedhur disa teza rreth nevojës së rithemelimit të PD, pas humbjes së saj në zgjedhjet e 25 prillit dhe shpalljes së “liderit të saj historik” Sali Berisha “non grata”, nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Këto teza mund të shndërrohen në një debat të madh politik, mediatik e publik pasi kjo nevojë, ka nisur që të artikulohet edhe nga brenda radhëve të PD.

Takimet e fundit në Tiranë të Zv. Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Philip Reeker, me familjen e Princit Leka dhe kandidaten për Kryetare të PD Edith Harxhi, i hodhën më shumë benzinë këtij zjarri duke inkurajuar partizanët e kësaj ideje. Këto takimet u lexuan si lëvizje që synojnë të inkurajojnë aktorë të rinj, për tu bërë pika referimi për të ardhmen, në rast se Lulzim Basha nuk distancohet deri më 9 shtator nga “babai politik”. E ta mendosh, se i dërguari i lartë amerikan, nuk gjeti kohë të takonte as Presidentin Ilir Meta!

Ajo që bien dakord të gjithë deri tani, është fakti se në kushtet kur PD do qëndrojë për herë të parë për 12 vjet me radhë në opozitë, lind si nevojë jetike rithemelimi i saj. Një proces i thellë transformimi radikal, që synon ta ribëjë nga e para, partinë më të rëndësishme të spektrit të djathtë politik në Shqipëri. Pas pastrimit dhe rivatilizimit, modernizimit dhe hapjes për të gjithë faktorët relevantë, synimi është që të jetë gati për tu ritkhyer në pushtet pas zgjedhjeve të 2025.

Ajo ku ndahen deri tani influencuesit, është nëse duhet të kemi vetëm një rithemelim të PD, apo të së djathtës? Personalisht, jam për rithemelimin e së djathtës shqiptare në tërësinë e vet, e jot ë PD sepse:

E para, PD e Sali Berishës, dështoi në këto 30 vjet, që të bëhej bartësja kryesore e idealeve dhe zbatimit të filozofisë së të djathtës së re e moderne europiane. Një parti politike që të përthithte, harmonizonte dhe gërshetonte brenda saj, edhe vlerat më të mira të së djathtës tradicionale e historike shqiptare.

E dyta, PD nuk është më përfaqësuesja e të djathtës së vërtetë, por vetëm mbrojtësja politike e interesave të Sali Berishës dhe familjes së tij, e cila sot është në listën e zezë të SHBA për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”.

E treta, Lulzim Basha as nuk ka tentuar dhe as nuk do ia dali dot kurrë edhe nëse do ta detyrojnë, që ta distancojë qartë e prerë PD-në, nga Sali Berisha. Tregues se kjo parti tashmë, është pronë e një familje të vetme biologjike dhe jo më vlerë e pikë referimi për sistemin demokratik e pluralist të vendit.

As kultura jonë politike nuk është përshembull si ajo britanike, as PD nuk është Partia Konservatore dhe as Lulzim Basha nuk është Margaret Thatcher-i kur sëbashku me mentorin e saj intelektual Sir Keith Joseph u vunë në krye të fraksionit që përqafoi mendimet e së djathtës së re kur ishte në opozitë parlamentare. Brenda PD sot ka vetëm rreshtim pro Berishës dhe nuk ka një konflikt parimor, ideologjik, programor apo filozofik për tu zgjidhur, siç ishte ai mes të dajthtës së re dhe të vjetër, që shpërtheu në Kryesinë e Partisë Konservatore.

Brenda SHQUP as keni dëgjuar dhe as keni për të dëgjuar ndonjëherë ndonjë debat rreth teorive të Hyek-ut, Milton Friedman-it, J. M. Buchanan-it apo Adam Smithit. Aq më pak të dëgjoni publikisht ndonjë mendim politik rreth zhvillimit të tregut të lirë, kontrollit mbi inflacionin, borxhin, kapitalizmin konkurues, strategjitë kombëtare për thithjen e investimeve të huaja, stimulimin e kapitalit vendas, hapjen e vendeve të reja të punës, politikat proteksioniste, fleksibilizimin e mekanizmave të tregut, etj.

A e dini pse? Sepse PD nuk është një parti e djathtë. Ajo lindi si frymë kundër sistemit komunist që ishte rrëzuar në gjithë Europnë Lindore komuniste, duke bërë që guri i fundit i dominosë, të rrëzohej edhe në Shqipëri. Gjatë këtyre 30 viteve, ajo as nuk e reabilitoi dhe riintegroi të djathtën historike, as nuk bëri dekomunistimin e vendit dhe as nuk e stimuloi krijimin e së djathtës moderne të kapitalit të ri. PD sa të jetë Sali Berisha gjallë, as nuk do të rithemelohet, e as nuk do të ndryshojë dot kurrë.

Shqipëria është në fazën e mbylljes së tranzicionit dhe shëmbjes së kulturës së pandëshkueshmërisë. Kjo është koha më e mirë, për rithemelimin e të djathtës së vërtetë shqiptare. Ky proces do sjellë krijimin e një poli të ri politik, që do ti jetësojë idealet e saj në të ardhmen, përmes përfaqësuesve të vet më të mirë. Katër vitet në vijim, janë të majftueshme që të bëhet gati, për të konkuruar denjësisht në zgjedhjet e 2025.