Përmeti njihet si qyteti i luleve, verës, reçelit, kompostos dhe glikosë. Produktet lokale janë të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe agroturizmit përmes rritjes së potencialit prodhues të familjeve bujqësore. Në këtë kontekst, një projekt i FAO-s, mbi menaxhimin efektiv të burimeve natyrore në mbështetje të ekonomisë së gjelbër për zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri, ndihmoi në identifikimin dhe promovimin e produkteve lokale, tradicionale, organike dhe me tregues gjeografikë.

Si pjesë e kësaj, FAO organizoi në Përmet, panairin lokal, për të promovuar produktet vendase dhe për të vlerësuar prodhuesit e vegjël. Aktiviteti u përqëndrua tek produktet tipike lokale, si një tur kulinar në zonën e Përmetit, dhe përfshiu rreth 60 fermerë dhe familje fermerësh, të cilët paraqitën produkte tradicionale dhe prezantuan receta autentike. “Zgjodhëm Përmetin për këtë aktivitet sepse është një nga perlat e këtij vendi me ofrimin e produkteve të veçanta dhe me cilësi të lartë. Përmeti është një rajon në Shqipëri me potencial të lartë për produktet e tij të mirënjohura tradicionale,” tha Arben Kipi, Asistent përfaqësues i FAO për Shqipërinë, duke shtuar se ky aktivitet është vetëm fillimi i mbështetjes që FAO ofron së bashku me organizatat e tjera të Kombeve të Bashkuara.

Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, e cila e mirëpriti këtë aktivitet, theksoi rolin e promovimit dhe rezultateve të deritanishme në zhvillimin e sektorit. “Ngjarje të këtij lloji sjellin risi që fermerët dhe vizitorët tanë gjithmonë i mirëpresin, dhe nuk do t’ju mungojnë risitë kur bëhet fjalë për agroturizmin dhe pasurimin e produkteve tipike”, shtoi Hoxha.

Fermerët pjesëmarrës u shprehën entuziastë për mundësitë e promovimit të produkteve të tyre të bëra në shtëpi tradicionalisht. “Kemi sjellë mjaltë të Bedunicës nga fshati i Gostivishtit dhe gjithashtu bëra disa produkte tradicionale të rajonit tonë, të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj, të tilla si një byrek me barishte, përsheshi i zonës sonë dhe qumështori”, tha një fermere.

Si pjesë të tjera të rëndësishme të projektit, FAO ka filluar me qeverinë lokale dhe qendrore vlerësimin e gjendjes aktuale të tokës, fertilitetin e tokës, ndotjen dhe degradimin në zonën e Përmetit, për të hartuar një plan veprimi ndërhyrjeje mbi përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të tokës.

FAO do të vazhdojë aktivitete të tjera me një kontribut ambicioz në ekonominë e gjelbër të Shqipërisë për të përmirësuar jetesën dhe kapacitetin prodhues të familjeve fermere, si dhe autoriteteve në menaxhimin e burimeve natyrore.

Projekti është pjesë e Nismës Rajonale të FAO 3, mbi menaxhimin e burimeve natyrore në mënyrë të qëndrueshme dhe ruajtjen e biodiversitetit në një klimë në ndryshim, pasi synon të ofrojë mbështetje për të adresuar sfidat e ndërlidhura të ndryshimit të klimës dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

FAO, përmes projekteve të ndryshme në Shqipëri synon gjithashtu të fuqizojë fermerë të vegjël dhe fermat familjare dhe të rinjtë, ndërsa lehtëson jetesën rurale dhe uljen e varfërisë që kontribuon në Nismën Rajonale 1.