Nga Altin Ketro/

Nuk do mend e kalem që çdo ditë po del në pah se pjesën e dhunshme të protestave, veçanërisht atë që përdor bomba Molotov, e organizon në detaje Departamenti i Luftës në PD. Është ajo pjesë që ka qenë e tillë që në kohën e Lulit, kur sulmonte Parlamentin dhe Kryeministrinë. Kanë të njëjtën mënyrë dhune, por tashmë më të fortë, sepse kanë në krye një plak-lider që s’i ka mbetur gjë tjetër në jetë çfarë të bëjë, veç këtyre që po bën.

Në ndryshim nga shumë vende të tjera evropiane, ku nuk ka asnjë parti që pretendon të marrë pushtetin që t’u dalë për zot këtyre anarkistëve, në Shqipëri është PD-ja që jo vetëm është krenare për ta, por edhe i furnizon me municion dhe u jep mbrojtje politike, duke i strehuar në selinë e saj me ditë të tëra.

Paralelisht me Shqipërinë, protesta kishte edhe në Itali dhe Francë, dy shtete që morën masa shumë të rrepta kundër këtyre huliganëve. Masa të reja ligjore, të ndërmarra në minutën e fundit si dhe dislokim i forcave të ushtrisë.
Kurse në Shqipërinë e “autokratit” Edi Rama, ku ende nuk kemi asnjë ndryshim penal për akte të tilla dhune ndaj policisë e institucioneve kushtetuese, vijon ende hedhja e bombave Molotov, që po i djeg të gjallë punonjësit e policisë.

I vënë sërish zjarrin ministrive dhe çdo institucioni që u del përpara. Dhe është zjarr i përgatitur nga Departamenti i Luftës në PD, mos e harroni.

Shqipëria, ose më saktë, Tirana, është i vetmi kryeqytet në Evropë ku shteti po përballet me një parti politike që pretendon të vijë në pushtet për ta qeverisur këtë shtet.

Dhe ju lutem, mos na merrni më për budallenj. Fjala “student” u përdhos rëndshëm nga Partia Demokratike, duke përvetësuar çdo kauzë të tyre të drejtë, për hyxhym me akte banditeske.

Mbajtja peng e jetës normale të kryeqytetit, specifikisht brenda Unazës së Mesme të tij, nga 500 vandalë që shpërndahen si buburreca andej-këndej, duke kryer akte që krijojnë frymë terrori te gjithë pjesa tjetër e qytetit, do të mbetet një njollë e pashlyeshme në ballin e Partisë Demokratike, të cilën do ta vuajë në çdo palë zgjedhje.

Absolutisht që aty tashmë janë një amalgamë ku përfshihen edhe paramilitarë të forcave të tjera të vogla, që duan të përfitojnë nga kaosi dhe mendojnë se do të faktorizohen. Ka edhe individë me precedentë penalë që duan të plaçkisin çfarë u del përpara. Ka edhe idealistë që pandehin naivisht se po kontribuojnë në një çështje të madhe. Ka edhe nga ata që marrin udhëzime dhe financime nga qarqe ndërkombëtare të së majtës ekstreme, por edhe nga ato vende që nuk ia duan prosperitetin Shqipërisë.

E megjithatë, vulën e turpit historik për këtë katrahurë shkatërrimtare që i bënë Tiranës, do ta mbajë një dhe vetëm një parti: PD-ja! /Tema/