Bashkia e Tiranës ka miratuar dëmshpërblimin për 24 familje të cilat kanë pësuar dëme në banesa nga zjarri ose përmbytjet. Këshilli Bashkiak, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin nga institucionet përgjegjëse, ka miratuar edhe listën me familjet që do të marrin ndihmën financiare nga Bashkia e Tiranës për rikuperimin e dëmeve.

“Në vijim të komunikimit të mbajtur me Këshillin e Qarkut, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile ka përgatitur listën me 24 familjet që përfitojnë ndihmë financiare për shkak të dëmeve ndërtimore dhe në orendi/ pajisje elektroshtëpiake, të pësuara si pasojë e zjarrit, tërmetit dhe përmbytjes. Bazuar në VKM 329/2012, ndihma financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga fatkeqësi të ndryshme është 50% e preventivit për dëmet ndërtimore dhe 100% e preventivit për dëmet në orendi/ pajisje elektroshtëpiake”, thuhet në relacionin që shoqëron vendimin.