Milani rindez motorët. Pas shkëlqimit në sezonin e kaluar, të kurorëzuar nga kthimi në Champions League, “Djalli” mblidhet për të hapur dyert e 2021-2022. Stefano Pioli, në një konferencë për shtyp, foli në ditën kur kuqezinjtë u takuan pas pushimeve: “Ne vijmë nga një sezon i ngarkuar, por kemi pushuar dhe jam i sigurt se do të jemi gati. Fillimi i një sezoni të ri do të vijë së shpejti, duam të jemi përsëri protagonistë”.
Midis merkatos dhe punës, ajo që është bërë në sezonin e kaluar, sipas Piolit, duhet të jetë një stimul për ta rritur nivelin: “Klubi dëshiron një ekip konkurrues. Ne duam t’i japim vazhdimësi punës së sezonit të kaluar. Kemi nevojë për ta ngritur nivelin e ekipit, duam një kthim në normalitet. Ne duam të konfirmojmë se jemi një top – ekip i nivelit të lartë. Në Itali ka shtatë ekipe të forta, me të cilët do të duhet të luftojmë. Në Europë duam të jemi surpriza. Unë pres shumë nga të gjithë, duke filluar me veten. Gjithmonë mund të bëni më mire. Te ne, përveç Ibrës, askush nuk ka arritur majat në karrierën e vet. Kjo më jep shpresë. Shpresoj të jetë sezoni i Milanit”.
Sisa lamtumira për mosrinovimin, por Milani shikon përpara: “Calhanoglu dhe Donnarumma? Jam i lidhur me të gjithë lojtarët e vitit të kaluar, Gigio dhe Calha kanë dhënë kaq shumë deri ditën e fundit. Duhet të shikojmë përpara dhe jo prapa. Jam i bindur se do të gjej një grup të motivuar, të gatshëm të bëjë mirë. Merkatoja? Kemi ende rrugë të gjatë për të bërë, na nevojiten lojtarë cilësorë. Me cilësi dhe frymën e duhur mund të shkojmë larg”.
Drejtues brenda dhe jashtë fushës, por vetëm një kapiten. Pioli është i sigurt për këtë temë: “Kapiteni do të jetë Romagnoli, por forca e një skuadre është që të ketë më shumë kapitenë. Ne do të krijojmë zëvendëskapitenët së bashku, kam një ekip me një ndjenjë të shkëlqyer të përkatësisë”.
Pioli më pas foli për atë që ndodhi në “Euro 2020” me Eriksen dhe atë që Kjaer përjetoi: “Kam folur shpesh me Simon. Ai përjetoi një episod delikat, shumë u habitën nga qartësia e tij, por ne jo, sepse i njohim mirë cilësitë e tij njerëzore. Ai ka nevojë për pushim pas një sezoni të shkëlqyeshëm dhe një Europiani mbresëlënës”.
Kapitulli Ibrahimovic dhe lojtarët jo në të mirën e tyre: “Kam folur me Zlatan praktikisht çdo ditë. Kur u operua ishte i kënaqur. Do të duhet të presim edhe disa javë për ta parë përsëri duke luajtur. Vizita e djeshme në Kalabri shkoi mirë. Ai nuk do të jetë në gjendje të fillojë menjëherë me grupin, por ai do ta bëjë këtë së shpejti. Bennacer, nga ana tjetër, po bën mirë dhe është gati të bashkohet me grupin. Dëmtimet e ndryshme? Sezonin e kaluar kemi vuajtur shumë”.