Premier League ka marrë një vendim të rëndësishëm dhe një pozicionim zyrtar.
Të gjithë lojtarët dhe stafet që duan të bëjnë pjesë në kampionatin 2021-2022, që do të nisë në mesin e gushtit, do të duhet të kenë bërë të dyja dozat e vaksinës kundër Koronavirusit. Pas vendimit që detyronte tifozët për vaksinimin për të patur mundësi që të hynin në stadiume, edhe futbollistët duhet të vaksinohen me të dyja dozat, me Federatën Angleze që ka vendosur si afat kohor të fundit 1 tetorin për të përmbushur obligimin e vaksinës. Ata që ende nuk kanë marrë dozën e pare, duhet ta bëjnë brenda dy javëve të ardhshme, ndërsa për momentin vetëm dy klube kanë kompletuar vaksinimet për lojtarët që kanë federuar.
Gjithsesi, ky rregull mund të shkaktojë probleme, për shembull, siç shkruan “Daily Mail”, disa lojtarë mund të refuzojnë vaksinimin, dhe, në këtë rast. edhe pse ende nuk janë përcaktuar modulet e sakta se si do të veprohet në çdo rast ky pozicionim, hipotetikisht mund të hapë skenarë të rinj në merkato, të cilët janë të pafavorshëm për klubet.
Thënë me pak fjalë, një lojtar për të favorizuar shitjen e tij në një kampionat tjetër, mund të refuzojë vaksinimin. Një shembull vjen nga Kanadaja, ku Montreal FC u detyrua të shiste sulmuesin Eric Hurtado vetëm 7 muaj pasi e kishte blerë, pasi lojtari nuk u tregua i gatshëm për t’u vaksinuar, duke mos respektuar rregullat në Quebek, çka ia bënte të pamundur që të luante ndeshjen në shtëpi në MLS si dhe transfertat ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara.
Ende nuk dihet nëse lojtarët e Premier League-s, që do të refuzojnë vaksinën, do të duhet të shiten, por, me siguri, ky fakt mund të kthehet në një armë në dorë të menaxherëve për të ushtruar presion ndaj klubeve për të kërkuar largimin.