Presidenti dhe CEO i agjencisë gjermane, DPA, njëherësh President i Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), Peter Kropsch, ka uruar ish-drejtoreshën e Përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi për zgjedhjen si kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

“Fakti që ju jeni zgjedhur edhe nga deputetët përtej partisë në pushtet dëshmon për profesionalizmin dhe reputacionin tuaj të shkëlqyer, që unë pata kënaqësinë ta përjetoj gjatë bashkëpunimit në bordin e Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), thekson Kropsch. Presidenti i EANA-s, nënvizon se me zgjedhjen e Krasniqit, AMA fiton një ekspert dhe person të shkëlqyer. Kropsch vë në dukje kontributin e Krasniqit jo vetëm në bordin e EANA-s, por edhe në çështje të ndryshme që prekin mediet, sikurse është lufta kundër dezinformimit.

“Duke ju emëruar juve, Autoriteti i Mediave Audiovizive Shqiptare fiton një ekspert dhe person të shkëlqyer, ndërsa komuniteti i agjencive të lajmeve humb, për fat të keq, të paktën rolin tuaj si drejtoreshë e përgjithshme e ATSH dhe anëtaren e bordit të EANA”, shprehet Presidenti i agjencisë gjermane të lajmeve. Pjesë të letrës së Presidentit dhe CEO-s së agjencisë gjermane për zgjedhjen e Armela Krasniqit në krye të AMA-s, u publikuan në Newsletter të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve.

Më poshtë mesazhi i urimit i Peter Kropsch, President dhe CEO i agjencisë gjermane të lajmeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare:

E dashur Armela,

Urime për emërimin tuaj për të drejtuar Autoritetin e Mediave Audiovizive të Shqipërisë! Fakti që ju jeni zgjedhur edhe nga deputetët përtej partisë në pushtet dëshmon për profesionalizmin dhe reputacionin tuaj të shkëlqyer, që unë pata kënaqësinë ta përjetoj gjatë bashkëpunimit në bordin e Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA).

Ne u njohëm me njëri-tjetrin gjatë punës sonë si drejtues ekzekutivë të agjencive tona përkatëse të lajmeve – ju në ATSH dhe unë në APA Agjensinë e Lajmeve të Austrisë, në atë kohë. Drejtimi i një agjencie lajmesh në epokën e transformimit dixhital është një sfidë më vete, dhe më shumë më bëri përshtypje – përveç të tjerave- që ngrinit zërin tuaj për çështje kaq të rëndësishme për të gjithë ne, siç është dhe lufta kundër dezinformimit.

Rreth dy vjet më parë ju pranuat të bashkoheni në bordin e EANA. Sot, EANA përfaqëson 32 agjenci europiane duke qenë kështu rrjeti më i rëndësishëm i drejtorëve të agjencive të lajmeve në BE. Midis tyre janë agjencitë shtetërore si dhe organizatat globale të lajmeve si AFP, DPA, ANSA ose EFE. EANA synon të mbështesë shkëmbimin e njohurive të komunitetit të agjencive të lajmeve, praktikat më të mira dhe përafrimin me mjedisin përkatës ligjor. Një shembull i mirë i punës së rëndësishme të EANA ka qenë roli ynë vendimtar gjatë negociatave të Direktivës Europiane për të Drejtën e Autorit. Një shtyllë tjetër është mbështetja e agjencive të lajmeve dhe kolegëve kur liria e shtypit është e kërcënuar.

Ju keni luajtur një rol shumë aktiv brenda bordit të EANA dhe keni kontribuar shumë në proceset tona të vendimmarrjes në shumë raste. Ju prezantuat pikëpamjet dhe qasjet politike dhe shoqërore të një vendi të vogël në Europë duke përdorur njohuritë tuaja të thella dhe përvojën e gjerë, madje duke arritur përtej kufijve të Shqipërisë.

Duke ju emëruar juve, Autoriteti i Mediave Audiovizive Shqiptare fiton një ekspert dhe person të shkëlqyer, ndërsa komuniteti i agjencive të lajmeve humb, për fat të keq, të paktën rolin tuaj si drejtoreshë e përgjithshme e ATSH dhe anëtaren e bordit të EANA. Megjithatë shpresojmë që të qëndroni e lidhur me botën e agjencive të lajmeve. Ju e dini që ne jemi akoma enët e gjakut në fluksin ndërkombëtar të lajmeve.

Ju keni fituar vlerësimin dhe respektin e të gjithëve.

Ju urojmë gjithë të mirat në punën tuaj të re!

Me nderime,

Peter Kropsch

President dhe CEO i dpa Deutsche Presse-Agentur GmbH

President i EANA