Rreth 35 mijë banorë të Fierit do të kenë një qendër të re shëndetësore me standardet më të mira.

Ministrja e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi inspektoi nga afër punimet që po kryhen në këtë qendër shëndetësore.

“Më së fundi po shikoj që po bëhet realitet qendra e re shëndetësore në Fier, pjesë e programit të 300 qendrave shëndetësore. Punimet kanë ecur përpara dhe besoj se në shtator-tetor do të përfundojnë e gjithë infrastruktura. Më tej do të fillojmë me mobilimin që është pjesë edhe e përfundimit të këtij objekti dhe pastaj bëhemi gati për të ofruar shërbimin për 35 mijë banorët që do të mbulojë kjo qendër shëndetësore”, – theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “ia kemi dalë të ofrojmë shërbim cilësor për 1.2 milion qytetarë, por nuk do të mbetemi me kaq se në vijim ne planifikojmë që në mandatin e tretë për shëndetësinë të kemi përfunduar të gjithë qendrat shëndetësore dhe ambulancat për ti sjellë në këto standarde si këto 300 qendra shëndetësore dhe ambulanca u rehabilituan ndërtuan dhe sot ofrojnë shërbim cilësor për qytetarët tanë”.

Sipas saj, do të ndërtohen edhe 10 qendra të mjekësisë familjare.

“Në kuadër të planit tonë 10-vjeçar për përmirësimin e kujdesit parësor dhe transformimit dhe modernizmit të kujdesit shëndetësor kudo në vend ne do të ndërtojmë 10 qendra të mjekësisë familjare, pjesë e së cilës do të jenë edhe qendrat, të cilat tashmë ne po rindërtojmë ku do të përfshihen shërbime të reja, në mënyrë që komuniteti duke filluar nga fëmijët deri tek të moshuarit të gjejnë sa më shumë shërbime të dedikuara, në këto qendra të mjekësisë familjare”, – tha Manastirliu.

Kryetar i bashkisë së Fierit, Armando Subashi tha se “kjo godinë ka qenë çerdhe dikur, për shumë vite degradoi si objekt sepse nuk përdorej më as si çerdhe. Ishte në inventarin e pronave të bashkisë, do të jetë një zgjidhje e mirë për pothuajse 30-40% të qytetit”.