Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një tjetër anëtar nga superskuadra ndërkombëtare e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, Tomas Jelenski.
Rama thekson se “Tomas Jelenski drejton Qendrën Ndërkombëtare të Arsimit dhe ka themeluar disa programe pasuniversitare në shumë universitete evropiane”.
“Gjatë një dekade ai ka qenë i deleguar nga Ministria e Shkencave dhe Arsimit të Lartë e Polonisë në Komitetin Ndërsektorial të Arsimit e të Bursave për të Huajt dhe që prej vitit 2020, është emëruar Kryetar i Komitetit të Ekzaminimit në Agjencinë Kombëtare për Shkëmbime Akademike në Poloni. Ai është përzgjedhur si ekspert i Komisionit Evropian dhe Fondacionit Evropian për Shkencën”, – tha Rama.
Pak ditë më parë u zgjodh Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, i cili përbëhet nga 11 anëtarë që u përzgjodhën mes 117 kandidaturash nga brenda dhe jashtë vendit.
Kryetarja e këtij bordi u zgjodh Shqiponja Telhaj, e cila ka dhënë kontribut si këshilltare në Ministrinë e Arsimit të Anglisë kryesisht në fushën e sigurimit të cilësisë në arsim.