Familja Dumi me 6 anëtarë në Vaqarr të Tiranës hyri në shtëpinë e re, më të fortë e më të mirë, të ndërtuar falë programit të rindërtimit. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjen Dumi, ku theksoi se qeveria dhe bashkia po kujdeset që të mbarojnë edhe shtëpitë e fundit të dëmtuara nga tërmetet. “Njerëzit po përgatiten për të shkuar me pushime, ndërkohë që për ne të bashkisë korriku, gushti janë muajt më të vështirë, sepse hapim të gjithë kanalet, shtrohet asfalti, rregullojmë shkollat që hapen në shtator, kopshtet, çerdhet dhe vazhdojmë me procesin e rindërtimit, siç ka lënë porosi kryeministri, deri tek shtëpia e fundit. Nuk do të gjejmë rehat deri sa të mbarojë edhe shtëpia e fundit, edhe të sigurohemi që secili është futur në një banesë të re”, – theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se teksa vijon puna për ndërtimin e disa shkollave të reja në periferi të Tiranës, edhe në qendër po ndërtohen 10 shkolla të reja. Veliaj garantoi qytetarët që kur të kthehen nga pushimet do gjejnë shumë punë të përfunduara dhe shkolla të reja me kushte moderne ku fëmijët të nisin mësimin në shtator. “Do vijojë puna për shkollat në periferi si: shkolla në Pezë, Pezë të Vogël, Pezë-Helmës, në Vaqarr. Ndërkohë që do të vazhdojmë me shkollat në qendrat më të urbanizuara dhe më të populluara të Tiranës. Do të hapen 10 shkolla të reja edhe në qendër të Tiranë. Duke filluar nga shkollat e reja në Don Bosko, “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri”. Shkollat e reja që ne kemi në Kodër-Kamzë, “Nënë Tereza” dhe “Kenedy”, shkolla e re “Andrea Stefani”, kemi edhe shkollën e re “Qazim Turdiu”, “Hasan Vogli” është gjithashtu një shkollë e re. Gjithashtu kemi disa shkolla të tjera, në të cilat po punohet për përmirësimin e kushteve”, – bëri të ditur Veliaj.

Kryefamiljari Hut Domi falënderoi bashkinë e Tiranës për punën e bërë në një kohë kaq të shkurtër. “Është diçka e pavdekshme për mua, është historike. Ju falënderoj me gjithë zemër!” Familja Dumi prej 6 anëtarësh ka hyrë në shtëpinë e re, e cila është rindërtuar më e fortë dhe më e bukur, dhe me hapësirë më të madhe se më parë.