Rruga Gusmar-Kuç, që do të jetë një ofertë e re për turistët, është drejt përfundimit. Kryeministri Rama ka publikuar disa foto nga investimi, ku shkruan se rruga është drejt mbarimit dhe do të sjellë një perspektivë zhvillimi për të gjithë zonën.
“Mirëmëngjes dhe këto foto të rrugës Gusmar-Kuç drejt përfundimit, që do jetë një ofertë e re për turistët dhe një perspektivë për të gjithë zonën, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama. Rruga Gusmar – Kuç lidh Tepelenën, Gjirokastrën dhe Përmetin me rrugën e lumit të Vlorës dhe Himarën, duke krijuar një lidhje mes turizmit bregdetar me turizmin natyror, kulturor dhe historik.
Ky aks do të lehtësojë vajtjen në fshatin turistik të Nivicës për të shijuar bukuritë e saj natyrore, ndërsa do shërbejë si një shtysë e fuqishme për shfrytëzimin e potencialeve turistike dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Investimi për ndërtimin e kësaj rruge kap një vlerë prej 5,780,441 dollarë dhe fillimi i punimeve ka nisur në prill 2020. Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit. Investimi parashikon ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra gjatësi.