Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ministrin e Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butković, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.
Kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat po zhvillohen në frymën e Partneritetit Strategjik, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar më 04 dhjetor 2018 nga Kryeministrat Rama dhe Plenković.
Ruçi falënderoi qeverinë kroate edhe për vendimin e saj të 1 korrikut për dhurimin e 20 mijë vaksinave anti-COVID për Shqipërinë.
“Trilaterali midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, është një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit politik mes vendeve tona dhe në rajon, veçanërisht në zhvillimin e disa sektorëve si mjedisi, siguria dhe infrastruktura. Shqipëria dhe Kroacia kanë gjithashtu vizion të njëjtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne falënderojmë Presidencën Kroate të BE për mbajtjen Samitit të Zagrebit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor (online, më 6-7 maj 2020), i cili tregoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror dhe integrimin europian të rajonit, mbështetje e cila shpreh edhe një herë në Samitin online më 5 korrik 2021”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.
Duke marrë shkas nga prania në delegacion edhe e deputetes shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj, përfaqësuese e pakicave në parlamentin e Kroacisë, Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për hapësirat e krijuara për diasporën shqiptare në Kroaci dhe nxitjen e kontributit të saj për zhvillimin e Kroacisë si edhe për forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë.
Ministri Oleg Butković falënderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimet për bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe i transmetoi përshëndetjet dhe falënderimet e Kryetarit të Parlamentit, Gordan Jandroković, dhe të Kryeministrit, Andrej Plenković, për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh.
“Kroacia është e vendosur që t’i çojë deri në fund projektet e saj të zhvillimit dhe të infrastrukturës, të cilët kanë impakt pozitiv në rajon dhe në Shqipëri, si edhe për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë”, theksoi ministri Butković.
Kryetari Ruçi dhe ministri Butković shkëmbyen mendime edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e transportit, turizmit, agro-turizmit, energjisë, legjislacionit të investimeve dhe të integrimit europian, sektorit bankar etj.