Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Kosovës, Nait Hasani, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Kryetari Ruçi e falenderoi Ambasadorin Hasani për kontributin e tij për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ruçi nënvizoi se “Shqipëria, ashtu si deri tani, do të jetë në mbështetje të Kosovës, për përballimin e sfidave të sotme dhe të ardhme. Bashkimi Europian është i vetmi destinacion i të ardhmes së Kosovës dhe Serbisë. Është shumë premtues fakti që SHBA dhe BE kanë qëndrime të njëjta mbi dialogun Kosovë-Serbi. Kosova i ka të gjitha arsyet dhe mundësitë që të jetë një partner më i besueshëm se Serbia në raport me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Prandaj është i nevojshëm edhe unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën si edhe për dialogun me Serbinë.”
Ambasadori Hasani falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për mbështetjen politike, institucionale dhe personale për sfidat me të cilat përballet sot Kosova dhe shprehu bindjen se edhe në të ardhmen Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jenë në krah të Kosovës për përballimin e këtyre sfidave.