Zv/ministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, ka reaguar pas debatit mbi kapacitetet dhe prodhimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, duke theksuar se ndërtimi i një industrie të tillë kërkon kohë, teknologji, njerëz dhe partneritete ndërkombëtare.
“Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës. Para produktit ndërtohet kapaciteti”, shprehet Abrazhda, duke argumentuar se një projekt industrial në fazat e para nuk mund të vlerësohet vetëm nga produkti që prodhon sot, por edhe nga kapacitetet që po ndërton për të ardhmen.
Sipas saj, objektivi është krijimi gradual i një gjenerate të re kapacitetesh kombëtare përmes transferimit të teknologjisë dhe know-how, zhvillimit të burimeve njerëzore, modernizimit të infrastrukturës dhe integrimit të kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Abrazhda thekson se deklaratat e saj dhe ato të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufit, nuk janë kontradiktore.
“Unë në intervistën time fola për atë që ekziston sot. Ministri po flet për vizionin, për projektet dhe kapacitetet që po ndërtohen për të ardhmen. Këto nuk janë në kundërshtim. Njëra është fotografia e sotme, tjetra është rruga industriale drejt së nesërmes”, shprehet ajo.
“Industria e mbrojtjes nuk funksionon si industria e mallrave të konsumit”
Zv/ministrja nënvizon se industria moderne e mbrojtjes nuk mund të krahasohet me prodhimin e mallrave të konsumit, pasi një produkt kompleks ushtarak mund të përfshijë komponentë, nënsisteme, software, elektronikë, materiale dhe shërbime inxhinierike nga kompani të ndryshme.
Sipas saj, në industrinë moderne ekzistojnë prodhues komponentësh, prodhues nënsistemesh, kompani teknologjike, furnitorë të specializuar, si dhe kompani që marrin rolin e “prime contractor” ose “system integrator”.
“Vlera e integratorit nuk është domosdoshmërisht të prodhojë vetë çdo pjesë. Vlera është aftësia për të bashkuar teknologjitë, komponentët dhe nënsistemet e ndryshme në një kapacitet përfundimtar të integruar, të testuar dhe të standardizuar”, argumenton Abrazhda.
Ajo shton se pyetja për industrinë shqiptare nuk duhet të jetë vetëm se sa pjesë prodhohen brenda vendit, por edhe sa aftësi krijohen për integrim, mirëmbajtje dhe mbështetje dhe sa vlerë ekonomike mbetet në Shqipëri.
Partneritetet ndërkombëtare
Abrazhda e lidh këtë model me nevojën për partnerë ndërkombëtarë, duke theksuar se teknologjia, pronësia intelektuale dhe know-how nuk mund të krijohen “me dekret qeverie”.
“Për një vend të përmasave të Shqipërisë nuk ka kuptim ekonomik të pretendojmë se duhet të zhvillojmë nga zero çdo teknologji dhe çdo komponent”, thotë ajo.
Sipas zv/ministres, partnerët e huaj mund të sjellin teknologji, eksperiencë, know-how, procese, standarde dhe akses në zinxhirë industrialë ndërkombëtarë, ndërsa objektivi i Shqipërisë duhet të jetë që një pjesë sa më e madhe e kësaj vlere të mbetet në vend.
Në këtë kuadër, ajo përmend trajnimin e punonjësve, transferimin e njohurive, modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin e proceseve industriale dhe përfshirjen e kompanive shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë si tregues të suksesit të investimeve në sektor.
Abrazhda: Fincantieri, shembull i modelit që synohet në Pashaliman
Një pjesë të rëndësishme të reagimit të saj, zv/ministrja ia kushton projektit në Pashaliman dhe partneritetit me kompaninë italiane Fincantieri.
Sipas Abrazhdës, Shqipëria mund të kishte zgjedhur një model ku produkti blihet dhe prodhohet tërësisht jashtë vendit, por investimi në kapacitete vendase synon që krahas nevojës ushtarake të krijohet edhe një bazë industriale në Shqipëri.
Ajo e cilëson Fincantieri Albania si “investimin më të madh industrial në 36 vitet e demokracisë”, duke theksuar se kompania është krijuar me 51% të aksioneve nga Fincantieri dhe 49% nga KAYO.
Sipas saj, partneriteti synon zhvillimin e kapaciteteve të ndërtimit dhe mirëmbajtjes detare, modernizimin e Pashalimanit dhe krijimin e mundësive për përfshirje në tregjet ndërkombëtare.
“Produkti, Patenta, Dija Operacionale, Klientët e huaj dhe Kredibiliteti i sjell të gjitha Fincantieri, jo KAYO”, deklaron Abrazhda, duke argumentuar se procesi duhet parë si ndërtim gradual i kapaciteteve.
“Së pari infrastruktura, pastaj produkti”
Zv/ministrja thekson se një kantier që është ende në proces modernizimi nuk mund të gjykohet vetëm nga produkti përfundimtar që prodhon në këtë fazë.
“Së pari duhet infrastruktura. Duhen njerëzit. Duhet trajnimi. Duhet teknologjia dhe know-how. Duhen proceset dhe standardet. Duhet integrimi me zinxhirin industrial të partnerit. Pastaj vjen produkti”, shprehet ajo.
Në këtë kuadër, Abrazhda përmend edhe bashkëpunimin mes Fincantieri, KAYO dhe Institutit Profesional “Pavarësia” në Vlorë, i cili, sipas saj, parashikon trajnime, praktika dhe zhvillim të kompetencave profesionale për kapacitetet e ardhshme industriale të Pashalimanit.
Ajo thekson se synimi nuk është vetëm plotësimi i nevojave të Shqipërisë, por edhe lidhja e Pashalimanit me rrjetin ndërkombëtar të partnerit dhe mundësia për të prodhuar për tregjet e huaja.
“Të blesh një produkt është transaksion, të ndërtosh kapacitet është industri”
Në përmbyllje të reagimit, Abrazhda argumenton se suksesi i industrisë shqiptare të mbrojtjes duhet të matet me kapacitetin që ndërtohet në vend dhe jo vetëm me produktin e gatshëm.
“Dhe nuk është e nevojshme që çdo pjesë e tij të prodhohet në Shqipëri që Shqipëria të ketë industri. Industria moderne është një zinxhir. Vlera jonë është sa aftësi ndërtojmë brenda atij zinxhiri dhe sa prej saj mbetet në Shqipëri”, shprehet ajo.
Sipas zv/ministres, objektivi afatgjatë duhet të jetë rritja e aftësive vendase në prodhim, integrim, mirëmbajtje dhe trajnim.
“Të blesh një produkt është një transaksion. Të ndërtosh njerëzit, dijen, infrastrukturën, integrimin dhe aftësinë për ta mbështetur është industri”, përfundon Abrazhda.










