Sergio Ramos është shumë afër t’i bashkohet Paris Saint-Germainit, pasi ka rënë në ujdi me klubin për pagën dhe kohën e qëndrimit në kryeqytetin francez. Që prej 1 korrikut, Ramosi është lojtari i lirë, pasi i mbaroi marrëveshja me Real Madridin.
Që prej atëherë, është përfolur se ai do t’i bashkohet PSG-së dhe bisedimet mes tij dhe klubit francez janë përshpejtuar gjatë kësaj fundjave. Sipas gazetës franceze, Le Parisien, palët kanë arritur marrëveshje për pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës.
Besohet se qendërmbrojtësi spanjoll do të nënshkruajë marrëveshje dyvjeçare me pagë vjetore prej hiç më pak se 12 milionë eurove. Ndërkohë, PSG-ja së shpejti do ta prezantojë edhe Achraf Hakimin nga Interi. Që nënkupton se Mauricio Pochettino do t’i ketë dy mbrojtës të ri në skuadër shumë shpejt.