Qyteti gurtë Gjirokastra çdo fundjavë mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale dhe parku arkeologjik i Antigonesë mbeten destinacionet më të vizituara.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se nga janari në qershor,kalaja dhe parku arkeologjik Antigone janë vizituar nga 13212 vizitorë vendas dhe të huaj.
Ndërsa gjatë muajit qershor kalaja dhe parku arkeologjik Antigone janë vizituar nga 5446 vizitor vendas dhe të huaj, – theksoi Golemi.
Kryebashkiaku Golemi shprehet se turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
Sipas tij, ky vit po shënon një fluks më të madh turistësh në Gjirokastër, në krahasim me vitin e kaluar.
Para transformimit të Pazarit të Vjetër në Gjirokastër ka plot 70 bujtina dhe mbi 10 hotele. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.