Latif Gazidede është një sipërmarrës i ri nga Peshkopia, i cili ndërthur traditën dhe trendet moderne në prodhimin e jufkave. Ai tregon historinë e tij, teksa thekson se projektet e mbështetjes që zbaton qeveria e kanë ndihmuar atë të ngrejë dhe të zhvillojë me sukses biznesin e tij të ri. “Kam hapur një biznes startup, “Jufka” tradicionale Dibre, meqënëse janë produkte që njihen mirë në zonën e Peshkopisë”- thotë Latifi, teksa tregon se, ideja për këtë biznes i lindi gjatë një trajnimi me sipërmarrësit e rinj, në qytetin e Peshkopisë.

“Si fillim kisha disa vështirësi në shpërndarjen apo njohjen e produktit në qytet. Por meqë kam pasur një biznes tjetër familjar prej 20 vitesh, më ndihmoi kjo gjë dhe si fillim i çova prodhimet e para të jufkave, në ato dyqane apo markete që kisha njohje”- tha ai. Latifi shprehet i kënaqur që sot, produktet e biznesit të tij, njihen mjaft mirë dhe janë mjaft të kërkuara nga konsumatorët vendas.

Për sfidën “IDE” dëgjova rastësisht. Trajnimet që mora nga ky projekt, më kanë ndihmuar shumë, me ide dhe për mënyrat e shitjes së produktit apo shërbimet e biznesit që kam. Por mbi të gjitha, mbështetja kryesore nga projekti “IDEA” ishte, që fitova edhe grantin te Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Aktualisht jam në proces investimesh të reja dhe zgjerim të ambjenteve ku më duhet të shtoj edhe numrin e të punësuarve.

Plani im kryesor është që ta kthej këtë produkt dhe këtë biznes në një brand të mirënjohur në të gjithë Shqipërinë”- shprehet Latifi. Projekti IDEA i inicuar nga MFE, ka si qëllim të mbështesë shqiptarët/et për të filluar një biznes. Ajo kombinon trajnimet me këshillim dhe mentorim. Projekti financohet nga Qeveria Federale përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në bashkëpunim me Ministrinë Shqiptare të Ekonomisë dhe Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Në katër vitet e fundit projekti ka trajnuar 1500 sipërmarrës të rinj dhe ka kontribuar në krijimin e 350 biznese të reja. Gjithashtu ka fuqizuar 300 biznese aktive dhe ka stimuluar krijimin e 500 vendeve të reja pune në të gjithë Shqipërinë.