Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, janë 1 880 fermerë të kualifikuar në total përfitues të Skemës Kombëtare 2021 për masën e mbështetjes në blegtori që marrin pagesë të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Për masën “Tufa bazë e matrikulluar”, fermerët përfitojnë 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se deri tani është kryer pagesa për 90% të fermerëve në listën e kualifikuar përfitues. Ndërkohë që AZHBR ka ulur dy herë vijën e financimit duke shtuar me mbi 180 fermerë të tjerë në listën e kualifikimit. Vitin e kaluar nga kjo masë u mbështetën me subvencion 3389 fermerë. Për këtë vit numri i aplikimeve është rritur 80 % krahasuar me mesataren e aplikimeve të 3 viteve të mëparshme.