Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca priti sot në një takim të rinjtë e talentuar dhe të angazhuar nga Tropoja dhe Fushë-Kruja, me të cilët diskutoi për sfidat e të rinjve në komunitetet e tyre dhe në Shqipëri. Të rinjtë mësuan më shumë për Erasmus+ dhe programe të tjera të financuara nga Bashkimi Europian, nga të cilat të rinjtë shqiptarë mund të përfitojnë.

“Gjatë “Javëve të Europës 2021″ ata na pritën në qytetet e tyre, sot i mirëpritëm ne në Shtëpinë e Europës. Të rinjtë e talentuar dhe të angazhuar nga Tropoja dhe Fushë-Kruja, në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, diskutuan sfidat e të rinjve në komunitetet e tyre dhe në Shqipëri”, thekson delegacioni i BE-së në Shqipëri.
Ndërsa ambasadori Soreca shprehet se “premtimi është premtim! I lumtur të takoj përsëri këta të rinj të angazhuar, kaq të etur për të studiuar, kontribuar në komunitetin e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Ne të gjithë duhet t’i dëgjojmë me kujdes dhe t’i fuqizojmë ata. BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë afër të rinjve përmes programeve të saj. Në pritje të takimeve të tjera me të rinjtë shqiptarë në javët e ardhshme në Shtëpinë e Europës”.

“Javët e Europës 2021” u zhvilluan nga 9-29 maj me një udhëtim 21-ditor nga veriu në jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë.