Përgjegjësja e Programit të vaksinimit në ISHP-së, Erida Nelaj u bëri sot thirrje qytetarëve që të mos ulin vigjilencën dhe të vaksinohen pasi Europa po njeh rritje të rasteve me COVID-19.
Në një intervistë televizive, Nelaj tha se “procesi po ecën mirë, por mund të themi se ka rënë fluksi i madh, jo për mungesë të vaksinave, por për shkak të rënies së interesit të individëve, ndoshta kjo situata i ka bërë të relaksuar, ndoshta periudha e verës”.
“Përqark nesh ka raste dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm të mos ulim masat mbrojtëse dhe duhet të vaksinohemi jo vetëm me një dozë, por me dy doza, që do të thotë se duhet të nxitojmë tani që t’i lëmë vetes kohë për dozën e radhës”, tha ajo.
Nelaj tha se “të gjitha pikat e vaksinimit janë në gatishmëri për t’i ofruar shërbim çdo qytetari”.
“Jemi në fashën e vaksinimit të personave mbi 50 vjeç dhe po vijohet me të sëmurët që kanë sëmundje specifike që thirren nga mjeku i familjes. Ne vaksina kemi, po vijon shpërndarja, po plotësojmë dozat e dyta, ata që e kanë bërë dozën e parë mos të vonojnë dozën e dytë”, bëri thirrje specialistja e ISHP-së.