Rritja ekonomike e Shqipërisë në tremujorin e parë të këtij viti llogaritet 5.53%, ndërsa qeveria pret që ky ritëm rritjeje të vijojë përgjatë gjithë vitit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shprehet optimiste dhe rendit stimujt ekonomik të ndërmarrë gjatë një vitit të vështirë për shkak të pandemisë por edhe goditjes nga tërmeti, si faktorët kryesorë që çuan në ritme të shpejta rritjeje të ekonomisë së vendit.
“Rritja e ekonomisë me 5.53 % në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin e parë të 2020 është një lajm i mirë, po të kemi parasysh se ekonomia u rrit me 2.29 % edhe në krahasim me tremujorin e fundit të 2020-s, ç’ka na bën të besojmë fort se do të arrijmë objektivin për një rritje prej 5.5 % gjatë gjithë vitit”, tha Denaj gjatë një interviste në medie.
Denaj theksoi se optimizmi mbështetet edhe nga fakti se muajt në vijim, janë muajt më të mirë për sa i takon zhvillimit të ekonomisë, kjo pasi turizmi ka një impakt të rëndësishëm në ekonomi.
Një ritëm rritjeje në nivelet 5%, vuri në dukje ministrja, është parashikuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja.
Pavarësisht treguesve, ministrja Denaj e ka cilësuar edhe këtë vit si një vit sfidash.
“Vijmë nga një vit ku recesioni nuk u materializua në masën 6.1 % që kishim parashikuar në skenarin tonë, por me vetëm 3.3%. Por edhe ky është një vit sfidash. Ne kemi një tregues të mirë të fillimit të vitit që është rritja ekonomike, por edhe treguesi i të ardhurave është pozitiv. Në 5-mujorin e parë të vitit ne kemi realizuar të ardhurat në nivelin 104 %. Dhe në krahasim me vitin e kaluar janë 30 miliardë lekë më të larta”, deklaroi Denaj.
Ministrja Denaj siguroi se qeveria do t’i rikthehet objektivit për konsolidimin fiskal, ndërsa ndryshimet e fundit në buxhet i cilësoi si të domosdoshme për të stimuluar ekonominë.
“Çdo ndryshim buxheti vlen për të nxitur stimujt ekonomike me rritjen ekonomike si objektiv. Dhe rritja me 11.8 miliardë lekë e investimeve do të ndikojë pozitivisht edhe në ekonomi edhe në punësim. Ne nuk i jemi larguar objektivit të konsolidimit fiskal. Ne themi: kemi nevojë edhe për një vit për stimuj fiskalë, sikurse edhe vende të tjera të BE-së kanë lejuar që stimujt fiskale të jenë edhe me të zgjatur në kohë. Aq më tepër kur ne u goditëm jo vetëm nga pandemia, por edhe nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Denaj.
T’i japësh një vit hapësirë vetes, vijoi ministrja, për t’u kthyer drejt konsolidimit fiskal vitin pasardhës mendoj se është në dobi të ekonomisë.
”Ekonomia reagoi dhe ky vit është po aq i rëndësishëm për të vijuar me stimulimin e ekonomisë“, theksoi Denaj.
Konsolidimi fiskal, theksoi ministrja, mbetet si objektiv edhe në afat të mesëm, por frymëmarrja në ekonomi duhet të jetë.