Studimi më i fundit tregoi se një imunizim i përzierë, duke përdorur së pari vaksinën AstraZeneca, e pastaj duke marrë në dozën e dytë atë të Pfizer/BioNTech, e rrit me 6 herë nivelin e antitrupave në mekanizëm krahasuar me dy doza të AstraZeneca-s.

Hulumtimi i kryer nga një grup shkencëtarësh në Korenë e Jugut, përfshiu 499 punonjës mjekësorë: 100 prej tyre morën doza të përziera, 200 morën dy doza Pfizer/BioNTech dhe pjesa tjetër morën dy doza AstraZeneca. Në të gjithë rastet pati krijim të antitrupave që e ndalojnë virusin nga hyrja në qeliza dhe nga shumimi i tij.

Por më shumë, ato u krijuan tek personat ku u përzjenë vaksinat. Edhe një studim i publikuar muajin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar dilte në përfundimin se një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech, nëse jepet katër javë pas një doze të vaksinës AstraZeneca, prodhon përgjigje më të mirë imunitare. Studimi i Koresë së Jugut gjithashtu analizoi aktivitetin neutralizues edhe ndaj varianteve kryesore të koronavirusit.

Asnjë nga kombinimet nuk demonstroi aktivitet të zvogëluar neutralizues kundër variantit Alfa, të identifikuar së pari në Britani, por neutralizimi u ul me 2.5 deri në 6 herë ndaj varianteve Beta, Gama dhe Delta, të zbuluara së pari në Afrikën e Jugut, përkatësisht në Brazil dhe Indi.