Mbrëmë Sheshi Skënderbej është ndezur nën ritmet e muzikës dhe energjisë së të rinjve në natën finale të Tirana Art Fest, festivali i talenteve të reja i cili organizohet për të gjashtin vit rradhazi, duke synuar promovimin e të rinjve të talentuar. Gjimnazistë të 21 shkollave të ndryshme të Tiranës, me talent në këngë, kërcim, apo instrument muzikor, u bënë pjesë e këtij konkursi që u finalizua mbrëmë me disa çmime për secilën disiplinë. Të ftuar specialë të këtij spektakli organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit në bashkëpunim edhe me TOB, RTSH etj., ishin artistë të mirënjohur si producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea, këngëtarët Rovena Dilo, Roland Hysi, Mariza Ikonomi, Çiljeta, Kastro Zizo e Olsi Bylyku, ndërsa moderatorë ishin përzgjedhur Eva Murati, Gerta Heta dhe Eraldo Rexho.

Në përfundim të spektaklit talentet që u vlerësuan me cmime në këngë ishin Arsi Bako, Erma Mici dhe Martin Pano. Grupi më i mirë u vlerësua Harry Fultz Band, artisti më i mirë hip hop, Marbi Bombaj, ndërsa këngëtarja me stilin më të vecantë, Deona Bulica. Instrumentisti më i mirë i festivalit që u vlerësua me cmim është Marin Semini ndërsa sa i përket disiplinë kërcim cmimi i parë shkoi për Rijon Gurra. Ansambli më i mirë u shpall ai i shkollës Sami Frashëri, trupa e kërcimit modern u fitua nga të rinjtë e gjimnazit Petro Nini Luarasi ndërsa Ismail Qemali fitoi cmimin si shkolla e talenteve.
Të gjithë fituesit kanë përfituar bursa studimore nga Universiteti i New York-ut dhe Universiteti Mesdhetar në Tiranë.