Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për situatën e koronavirusit në vend dhe nëse ka ardhur varianti Delta. Tomini tha se ka sinjale dhe elementë të dyshimtë për mbërritjen e këtij varianti, por që priten rezultatet nga laboratori i Berlinit. Sipas zv.ministres së Shëndetësisë, varianti Delta është shumë herë më i transmetueshëm dhe shoqërohet me dhimbje koke, por ndryshe nga Covid-19, nuk janë prezentë nuhatja dhe shija.
A ka mbërritur Delta?
Ne kemi më se dy javë që flasim për sinjale dhe elementë të dyshimtë. Me t’u marrë kampionët e dyshuara, janë dërguar në Berlin. Elementë sinjalistikë të diagnozës laboratorike u mbështetën edhe nga të dhëna epidemiologjike. Njerëzit që kanë pasur këto elementë të dyshimtë janë izoluar patjetër. Sëmundja transmetohet përmes spërklave, por transmetueshmëria e tij është shumë herë më e lartë. Absolutisht, Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim. Ashtu siç ka thënë dhe OBSH, në gusht do të shënohet piku i variantit Delta.
Cilat janë simptomat e këtij varianti?
Ka shenja më të lehta se Covid-19, nuhatja dhe shija nuk janë prezentë, por është dhimbja e kokës. Nuk duhet neglizhuar nga asnjë, edhe nga ata që janë vaksinuar.
Ashtu si me Covid-19, edhe me këtë variant fëmijët preken, por nuk janë me simptoma, apo raste të rënda klinike. Është shumë e rëndësishme që të mos neglizhohet asnjë shenjë klinike. Qytetarët duhet të vaksinohen me të dyja dozat. Popullata duhet ta kuptojë që janë në kohën e duhur për t’u vaksinuar, tani është koha për të mos e humbur kohën për t’u vaksinuar.
Po popullata nën 18 vjeç do të vaksinohet?
Deri më tani nuk kemi rekomandim për të nisur vaksinimin në këtë fashë.
Shqipëria sërish në karantinë?
Çdo element përkundrejt masave shtrënguese do të varet nga situata epidemiologjike. Në varësi të agresivitetit të Deltës, do të vendosen dhe masat. Deri më tani kemi vetëm parashikime, asgjë nuk është e sigurt. Po ndjekim të njëjtën linjë si të gjitha shtetet e tjera të botës. Unë kam mendimin se Covid-i dhe variantet e tij do të jenë prezentë dhe ka gjasë që të qarkullojnë si viruse respiratorë. Duhet të përshtatemi. Është shumë e rëndësishme që të kemi një vaksinim të plotë me dy doza, pasi me një dozë nuk mjafton. Absolutisht që të gjitha vaksinat na mbrojnë. Një vaksinim i shëndetshëm na mbron nga forma e rëndë, mund të prekemi nga sëmundja, por me simptoma të lehta, duke evituar shtrimin në spital dhe vdekjen. Efektiviteti i vaksinave është i ndryshëm, por të gjitha na mbrojnë.
A duhet mbajtur maska?
Në ambiente të mbyllura duhet mbajtur maska, pavarësisht sa të lodhur jemi nga kjo situatë. Kur prishim distancimin fizik me njëri-tjetrin, pa diskutim që duhet të vendosim maskën në ambiente të mbyllura.
Kur mund të mbërrijnë variantet e reja në Shqipëri?
Meqenëse sinjalet janë dhe ne jemi në pritje të rezultateve, një sy i epidemiologut është shumë i rëndësishëm për t’u vlerësuar. Dërgimi i këtyre mostrave ka gjasa për t’u vlerësuar mirë. Shtatori parashikon një qarkullim shumë herë më të dendur dhe ndoshta do të paraqesë raste të Deltës, por sigurisht edhe rezultati nga Berlini mund të jetë për mbërritjen e këtij varianti. Ne kemi dy javë që kemi sinjale dhe dyshime të forta përkundrejt qarkullimit.
Kur duhet bërë vaksina pasi kalon virusin?
Në një periudhë 3-6 mujore mund të vendosë për bërjen e vaksinës.