Princi William dhe Princi Harry zbuluan para disa ditësh statujën në nder të Princeshës Diana.
Vëllezërit përkujtuan kështu 60-vjetorin e lindjes së nënës së tyre me një ceremoni të vogël në Pallatin Kensington, që ishte rezidenca mbretërore e Dianës.
Harry, i cili jeton në SHBA me gruan e tij, dukeshën e Sussex dhe dy fëmijët e tyre, mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar javën e kaluar në mënyrë që të përfundonte karantinën e tij përpara ngjarjes së të enjtes së kaluar.
Ndërkohë që të gjithë po shpresonin për një pajtim mes dy vëllezërve, duket se gjërat po bëhen keq e më keq.
Mediat e huaja kanë raportuar së fundmi se dy princat mezi folën me njëri-tjetrin dhe kaluan vetëm 20 minuta në të njëjtën dhomë pas ceremonisë.
Vëllezërit janë ende “në luftë” dhe burime pranë çiftit thanë për Mirror se është “pothuajse e pamundur që t’i besohet Harry-t”.
Kujtojmë se gjatë një interviste të realizuar në mars me Oprah Winfrey, Harry dhe Meghan hodhën akuza të rënda ndaj Familjes Mbretërore.
“Disa anëtarë të familjes nuk mund të besojnë atë që ai ka bërë”, tha burimi.
Thuhet se Princi William është më hezitues për të punuar me vëllanë e tij të vogël.
“William heziton t’i besojë Harry-t dhe se bisedat private mes tyre mund të qëndrojnë private”, shpjegohet më tej.