Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se ishte një nga personat e helmuar në Deçan të Kosovës. Ai tha se ka shfaqur disa simptoma, por që nuk kanë rezultuar shqetësuese për të. “Të them të drejtën nuk kam pasur simptoma të mëdha, kam pasur pak, por jo të mëdha. Fëmijët e motrës, Antigonës po. Shumë të afërm. Nuk është diçka që shpjegohet si gjendje”, tha ai.

Teksa numri i të helmuarve i ka tejkaluar 1500, Haradinaj tha se situata është qetësuar disi. “Është zvogëluar numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore që jep shpresë se do të ndërpritet kjo gjendje. Situatë mjaft e çuditshme dhe jo e zakonshme. Sidomos dy ditët e para kanë qenë të rënda. I kam parë njerëzit duke vuajtur e veçanërisht ishte e dhimbshme t’i shohësh fëmijët duke vuajtur.”

Ndërkohë, në rrjetet sociale ish-Kryeministri i Kosovës ka publikuar një set fotosh dhe video nga takimet që ka zhvilluar në qytetin e Kukësit, me prefektin e këtij qarku dhe vizita në ambientet e Radio Kukësit. “Ju flet Radio Kukësi! I themeluar në vitin 1959, valët e tij arritën tek shqiptarët që gjendeshin nën okupim, duke promovuar ndjenjën kombëtare, gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Zë i fortë po ashtu në përkrahjen e Luftës Çlirimtare të Kosovës!”, shkruan ai.

Në analizat e para të ujit janë zbuluar disa baktere kontaminuese, mes të cilave edhe një formë agresive e baktereve Escheria Coli që shkaktojnë të vjella e diarre, simptoma që kanë shfaqur të helmuarit në Deçan.