Në intervistën e parë pas ceremonisë së marjes së detyrës së Presidentit të Republikës, i pyetur nga drejtuesi i emisionit “Top Story”, Ilir Meta u përgjigj se Monika Kryemadhi nuk ishte gjatë 5 viteve të mandatit përkrah tij sepse ajo “nuk vihet kollaj në rresht”. Ajo “ka bërë zgjedhjen e saj publike, në momentin që jam zgjedhur President, duke bërë të qartë se do ishte një politikanë aktive dhe nuk do të ishte Zonjë e Parë”,- sqaroi ai.
Kur po mbushen 4 vite nga kjo deklaratë, shqiptarët e kanë parë sot për herë të parë publikisht Monika Kryemadhin në krah të Ilir Metës, në një ceremoni zyrtare të zhvilluar me rastin e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest. Pamjet e bëra publike, e tregojnë atë përkrah bashkëshortit të saj Kryetar Shteti, sipas një protokolli ku ulet në raste të tilla vetëm Zonja e Parë.
Çfarë e ka detyruar çiftin e njohur të politikës shqiptare që ta thyente premtimin e bujshëm, e të “korigjonin” vetëm tani pas shkarkimit të Presidentit nga ana e Parlamentit, një rregull që nuk ishte shkelur kurrë deri atëherë në historinë e shtetit shqiptar? E ta mendosh se atë natë të 24 korrikut 2017 Ilir Meta kishte deklaruar se pozicion i Monika Kryemadhit “është një mesazh i qartë se Presidenti dhe Presidenca, nuk do të ndikohen nga askush, as për qëllime të caktuara politike”.
Por gjatë këtyre 48 muajve, kanë rrjedhur aq shumë ujëra, sa gjithkush e sheh qartë se as premtimi i Monika Kryemadhit për të mos u bërë kurrë Zonjë e Parë dhe as mesazhi se Presidenca e Ilir Metës nuk do të ndikohej për qëllime të caktuara politike, nuk u mbajtën prej tyre. Sepse çifti i vetëm i politikës aktive shqiptare ka qenë, është dhe do mbetet në simbiozë të plotë me njëri- tjetrin, pavarësisht pozicioneve zyrtare dhe deklaratave të tyre publike.
Kurrë më parë nuk kishte ndodhur në një demokraci normale e funksionale, që bashkëshorti të mbante një pozicion të paanshëm politik që e detyron gjatë ushtrimit të detyrës të ngrihet mbi palët në lojë, ndërkohë që bashkëshortja kryetare e një partie politike të qëndronte në opozitë. Është kurioze të dihet, se çfarë qëndrimi do mbante propaganda opozitare që e ka duartrokitur këtë zgjedhje në konflikt të pastër interesi, në rast se LSI do të ishte me PS dhe Edi Ramën në pushtet!
Është vërtetuar tashmë se Ilir Meta, nuk ia doli të ishte Presidenti i Republikës që përfaqëson unitetin e gjithë popullit shqiptar, sepse u vu në funksion të axhendës politike pozitare. Nëse Monika Kryemadhi nuk u bë dot Zonja e Parë e shtetit, e sigurtë është se Ilir Meta u shndërrua në Zotëriun e Parë të opozitës. Madje duke mos e fshehur gjatë kësaj kohe, as angazhimin e tij të drejtpërdrejtë elektoral dhe as ambicjen, për të qenë një ditë pse jo edhe lideri real i saj.
Kësisoj eksperimenti politik për të ndarë detyrën e Presidentit të Republikës dhe ushtrimin e saj sipas frymës dhe gërmës së Kushtetutës, nga raporti bashkëshortor dhe interesat politike të partisë familjare, dështoi me turp. Nëse Ilir Meta do ia dilte që ta bëntë detyrën, në lartësinë e deklarimeve të natës së parë të ngjitjes në Krye të Shtetit, ai vetë dhe Monika Kryemadhi do të ishin sot, në pozicione krejt të tjera politike dhe elektorale.
E sigurtë është se as Ilir Meta nuk do ishte shkarkuar si President i Republikës, e as Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do dështonte në zgjedhjet e 25 prillit, duke u katandisur me vetëm 4 deputetë që është edhe rezultati më i keq në historinë 17 vjeçare të saj. Prova të qarta dhe të pakontestueshme këto, se hipokrizia politike sado e sfostikuar dhe djallëzore që të jetë, do të dështojë gjithmonë përballë realitetit, kohës dhe qytetarëve.
Atëherë kush e “futi në rresht” Monika Kryemadhin, e cila refuzoi të ishte Zonjë e Parë ditën që Ilir Meta hyri në Presidencë dhe të ulej pëkrah tij vetëm tani, kur ai ka dalë tashmë prej saj? Përgjigja është fare e thjeshtë: Ditën e parë me bashkëshortin në krye të shtetit dhe me një parti me 20 deputetë, Monika Kryemadhi ndihej më e fortë se kurrë. Por sot, situata është e përmbusur, duke qenë më të dobët se kurrë.
Është frika për humbjen e asaj çfarë kishin dhe nuk e vlerësuan, të cilën nuk do ta kenë më asnjëherë, ajo që i riktheu publikisht në krah të njëjri tjetrit. Por, tani është vonë, madje shumë shumë vonë. Sepse as President Republike dhe as Zonjë e Parë, nuk lind, por bëhesh. E kur dikush me koshiencë të plotë, e shkelmon këtë shans që i afrohet rrallëkujt vetëm një herë në jetë, ai nuk u rikthehet më kurrë çfarëdo që të bëjnë!/Alpenews