Varianti Delta i koronavirusit ka shkaktuar kaos në të gjithë botën pasi është përhapur në shumë vende dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është më ngjitës se të tjerët. Imunologu Kristaq Berxholi në një lidhje me Skype në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” tha se nuk ka vend për panik pasi vaksinat që kanë dalë në treg kanë mekanizmat e nevojshëm për të garantuar mbrojtjen e duhur.
“Vaksinat që janë në përdorim kanë një mekanizëm të fuqishëm, mbrojnë njeriun nga sëmundjet e rënda dhe të mesme. Duhet të keni parasysh që infeksioni është tjetër gjë dhe sëmundja është tjetër gjë. Jo të gjitha rastet e infeksionet përfundojnë me sëmundje. Në rast se përfundojnë me sëmundje, një rol për parandalimin luajnë vaksinat.
Të gjitha llojet që janë në Shqipëri kanë të garantuar mbrojtjen e njeriut nga format e rënda dhe shtrimet në spitale. Krijon mbrojtje 100 përqind që domethënë se njerëzit nuk pësojnë sëmundje me shenja klinike, të intubohen dhe të vdesin.“, tha virologu.
I pyetur se çfarë mjedisi e favorizon shfaqjen e mutacioneve, imunologu tha: “Mutacionet kanë dy arsye që formohen. E para, është se vetë virusi ka cilësinë e mutacioneve për t’i shpëtuar mbrotjes ose luftës së sistemit imun të organizmit. Janë dhe faktorë të tjerë që shpejtojnë shfaqjen e mutacioneve. Ishte çështja e vaksinimit pasi vendet në të gjithë botën nuk ishin të përgatitura siç duhet për përballimin e pandemisë dhe e morën si me shaka.”