Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot linjën e re të autobusëve hibridë dhe elektrikë në Tiranë. 20 autobusët e parë “Go Green” mbërritën sot në sheshin “Nënë Tereza” dhe brenda muajit gusht do të futen në qarkullim, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera. Linja e gjelbër unazore në Tiranë, miqësore me mjedisin, synon një mbulim të gjerë dhe integrim me rrjetin ekzistues të transportit, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që të udhëtojnë në distanca më të gjata me një linjë transporti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm për ata që përdorin transportin publik.
“E kam pritur me shumë ëndje këtë ditë. Kam përshtypjen se ashtu si unë, e kanë pritur edhe shumë qytetarë që thonë: kur do vijë dita që të kemi transport të gjelbër, që nuk ndot mjedisin, i denjë me hapin që po ndjek qyteti dhe me mënyrën se si po avancon. Sot hedhim një hap të paprecedentë dhe ndoshta jemi të parët në rajonin tonë me një flotë të gjelbër, diçka që kemi premtuar dhe më vjen mirë që e bëjmë realitet. Është një proces i modernizimit të transportit publik të Tiranës, të nisur që nga koha e Edi Ramës, i lënë pezull 4 vite, dhe sot falë një pune titanike është bërë realitet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai ka kërkuar jo vetëm mirëkuptim, por dhe angazhimin e gjithsecilit për të kontribuuar me shembullin e tij për një qytet më të pastër.
“Për t’u dhënë një përgjigje atyre që thonë ka shumë trafik: 300 autobusë në Tiranë transportojnë 200 mijë qytetarë, ndërkohë që qyteti ka edhe 200 mijë makina. Imagjinoni pak sikur edhe këto 200 mijë që udhëtojnë me autobusë, të udhëtonin me makina! Atëherë do kishim problem me trafikun. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: jep edhe ti kontributin tënd! Për sa kohë që duam të jetojmë në një qytet ku janë mundësitë, shkollat, duam të jetojmë në qytetin më të pasur të Republikës së Shqipërisë, qytetin ku ka art, ku ka kulturë, rrjedhimisht marrim përsipër të dalim në 08:00 të mëngjesit për të shkuar në punë, bashkë me 200 mijë të tjerë. Por është zgjedhje personale që për distanca të vogla, dikush merr vendimin të ecë në këmbë ose të marrë autobusin, apo të përdorë biçikletën. Sot jemi në një situatë që ndotja është bërë temë kryesore. Nuk ishte kështu dikur. Por teksa pamë çfarë ndodh kur ka thatësirë, me përmbytjet, tërmetet, pandeminë, teksa pamë çfarë ndodhi edhe në Gjermani, kjo linjë sot është edhe një lloj paqeje që kemi me natyrën,” u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë tha se një aktivitet i ngjashëm po ndodh sot edhe në Suedi, ku sapo është futur linja e gjelbër e transportit publik.
“Jemi në të njëjtin hap me shumë qytete të Suedisë dhe shumë përpara disa qyteteve të Ballkanit, por duhet ta ruajmë këtë ambicie deri në fund. Sot kemi flotën e parë elektrike, por janë 6 apo 7 kompani që 50% të mjeteve i kanë elektrike. Nëse vijojmë në këtë drejtim, besoj se do të kemi qytetin me 100% taksi elektrike. Në të gjithë itinerarin e 13.2 km kemi zero ndotje të prodhuar si nga këta autobusë, ashtu edhe nga taksitë elektrike të Tiranës, apo flota elektrike e Policisë Bashkiake. Më vjen mirë që shoh gjithnjë e më shumë kompani, banka, kompani pijesh, që po e transformojnë flotën e tyre në elektrike,” u shpreh Veliaj.
Autobusët e rinj ekologjikë vijnë në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”. Projekti, bazohet mbi një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusësh në Tiranë dhe ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban në Tiranë, i cili të jetë si miqësor me mjedisin dhe klimën ashtu edhe i besueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët e kryeqytetit.