Shqipëria prej disa javësh ka një ulje gati në nivel zero të infektimeve nga COVID-19. Në të gjithë vendin numërohen aktualisht vetëm 55 raste aktive ndërsa prej të paktën 10 ditësh nuk ka asnjë humbje jete.

Kjo ka bërë që disa vende evropiane të lehtësojnë masat kufizuese për Shqipërinë. Franca ka hapur kufijtë për 38 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu ka një situatë të favorshme të COVID-19.

Por, gjithsesi udhëtarët që hyjnë në Francë duhet të paraqesin një test negativ PCR ose një test antigen të 72 orëve të fundit.

Që prej fillimit të pandemisë Shqipëria ka pasur më shumë se 132 mijë raste pozitive me coronavirus duke shënuar 2 456 viktima.

Ndërsa, Maqedonia e Veriut ka regjistruar deri tani më shumë se 155 mijë të prekur ndërsa ka pasur 5 484 të vdekur.

Të dy vendet kanë njohur përmirësim të situatës duke që qytetarët e tyre të kenë këtë verë më shumë shtete ku mund të planifikojnë vizita apo pushime.

Përveç Francës dhe Finlanda gjithashtu ka lehtësuar kushtet për udhëtimet për Shqipërinë dhe RMV duke bërë që të hyjnë lirshëm në territorin e saj.

Gjermania po ashtu ka hapur kufijtë për shqiptarët dhe qytetarët e RMV edhe për ata persona që mund të mos jenë vaksinuar.

Greqia gjithashtu ka lehtësuar masat duke bërë që udhëtimet me avion nga Shqipëria në drejtim të vendit fqinj të operojnë lirisht.

Austria gjithashtu ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirisht, pa pasur nevojë të kenë një test negativ të COVID-19.

Ndërsa vendet e tjera që kanë lehtësuar kufizimet me Shqipërinë janë Danimarka dhe Holanda.

Pritet që edhe vende të tjera të ndjekin shembullin e këtyre vendeve për të lehtësuar masat për Shqipërinë, por me shumë interes pritet një vendim i tillë nga Italia apo Britania e Madhe ku ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë.