Vendimi i Qeverisë, i cili kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar, u mirëprit sot nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili u shpreh se kjo i hap rrugë projektit të ri, për ndërtimin e një teatri modern në kryeqytet. Nga Tokio, ku sportistët tanë garojnë për Lojërat Olimplike, Veliaj u shpreh se kalimi i pronës tek Bashkia e Tiranës mundëson vazhdimin me procedurat për ndërtimin e Teatrit.

Është reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta bërë siç duhet VKM-në e Teatrit, duke qenë se teatri i vjetër fizikisht nuk ekziston, është vetëm trualli ai që kalon dhe jo trualli me një ndërtesë që tani nuk ekziston më. Është korrektuar sipas Gjykatës Kushtetuese kalimi i pronës tek Bashkia e Tiranës, që na mundëson të vazhdojmë me procedurat për ndërtimin e Teatrit.
Veliaj tha se Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk bien ndesh me njëra-tjetrën. Meqë jemi në Tokio, ajo që kam kuptuar në vende të tilla është se kombet ecin përpara kur nuk bllokohen projektet e mëdha, kur nuk bllokohen Lojërat Olimpike, kur nuk bllokohet viti ku Tirana është Kryeqyteti i Rinisë, ku nuk bllokohet një stadium, kur nuk bllokohet një Teatër. Tani që jemi në një stadium këtu në Tokio, shoh se nuk është një stadium aq ndryshe dhe aq më i madh se stadiumi Arena Kombetare. E vetmja diferencë është që ne e bëjmë progresin me shumë dhimbje dhe me shumë forco, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ka një dakordësi të politikës që të bëhen stadiumet, të bëhet infrastruktura, të bëhen autostradat, të mos pengojmë njëri tjetrin. Kjo është e vetmja gjë që na dallon, vetëm mentaliteti, deklaroi Veliaj.

Veliaj u shpreh se ndodhet në Tokio për të mbështetur ekipin olimpik shqiptar.

Aty ku ka investuar Bashkia e Tiranës, kemi nxjerrë përfaqësues olimpikë. Ajo që do duhej të ndodhte dhe kjo është një ftesë për të gjithë kolegët e mi të bashkive, të vazhdojnë ta rrisin pak buxhetin e sportit, të investojnë në talente, të fillojnë dhe të shikojnë kush janë më të mirët në klasat sportive. Ajo që ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës është që, ku kemi investuar për sportin, ia kemi parë hajrin. Si kur kemi investuar në futboll dhe kemi dhënë premium dhe kanë ardhur kupat në Tiranë, ashtu dhe kur kemi investuar dhe në sportin elitar. Sigurisht që, interesi kryesor i Bashkisë së Tiranës nuk është 9-ja olimpike. Padyshim që jam shumë krenar që të 9-të janë të Bashkisë së Tiranës, por krenaria jonë më e madhe janë djem dhe vajza e vegjël që ndoshta nuk do bëhen lojëtarë olimpiadash, por që kalojnë kohën nëpër palestra e reja që janë bërë, rrinë larg veseve, rrinë larg rrugës, janë ambiente të sigurta, deklaroi ai ndër të tjera.