Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë. Temperaturat maksimale vende-vende pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius e ndoshta në ndonjë rajon edhe më nxehtë.
Edhe të enjtën pritet të mbajë mot mjaft i nxehtë dhe me vranësira kalimtare, më të theksuara në disa vise të Kosovës. Mund të ketë edhe zhvillime të izoluara të disa vranësirave me mundësi për ndonjë rrebesh të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Të premtën na pret mot i nxehtë në Shqipëri, ndërsa në Kosovë pas një paraditeje mjaft të nxehtë, pasdite priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive (vranësira me zhvillim vertikal) të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Vende-vende priten shtrëngata të fuqishme shiu dhe rrebeshe intensive. Rrebeshet e fuqishme dhe shtrëngatat me shi të premtën pasdite mund të përfshijnë edhe shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe veriun e skajshëm të Malit të Zi. Gjatë ditës ose pasdite vonë në tërë rajonin zbutje e nxehtësisë apo ulje të temperaturave.
Gjatë fundjavës na pret mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe zagushi në Shqipëri, ndërsa në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Luginë dhe veriun e Malit të Zi, përpos intervaleve kohore me diell priten edhe zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat pritet të kushëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Vende-vende priten shtrëngata të fuqishme dhe përmbytje të shpejta. Në disa rajone rrebeshet mund të zgjasin shumë dhe të shkaktojnë probleme. Më së paku reshje priten në Shqipëri dhe në kuadër të Shqipërisë më së paku dhe më së rralli priten në viset bregdetare./Meteoballkan