Georgino Wijnaldum është prezantuar sot si lojtar i PSG-së. Mesfushori holandez erdhi me parametra zero nga Liverpooli dhe ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin francez, që shihet si një nga kandidatët kryesorë për fitimin e Champions League sezonin 2021/22.
30-vjeçari foli përpara tifozëve të rinj, duke u shfaqur i lumtur që do të luajë me skuadrën e Mauricio Pochettinos. Përveç Wijnaldum, PSG këtë verë ka transferuar edhe Sergio Ramosin, Achraf Hakimin e Gigi Donnarumën. Wijnaldum do ta veshë fanellën me numrin 18 te PSG. “Një ndjesi e fortë, pasi jam pjesë e një klubi të madh, që është i mbushur me lojtarë të shkëlqyer”, u shpreh ai.
“Parisi është një qytet i bukur, me një tifozeri të jashtëzakonshme. E di mirë, pasi kam luajtur kundër PSG në ‘Parc des Princes’. Kjo është një ditë e shkëlqyer për mua dhe familjen time, pasi po nisim një aventurë të re”.
“E kam treguar në klubet ku kam luajtur që jam një futbollist që dëshiron të fitojë. Dua të përmirësohem dhe të mësoj nga shokët e trajnerët, është pjesë e mentalitetit tim. Synoj të sjell këtë mentalitet tek ekipi dhe shpresoj të përshtatem sa më shpejt”.
Wijnaldum ishte shumë afër transferimit në Barcelonë, me të cilin klubi bisedoi së paku një muaj. Por, ndërhyrja e PSG-së dhe paga e lartë, së paku 10 milionë euro në sezon, e bindi Wijnaldumin që të nënshkruajë për Parisin.