Nga Adri Nurellari

Ky grafik i bilancit tregtar tregon se Kosova jeton mbi një iluzion ekonomik; sepse konsumon si një vend i zhvilluar, por prodhon si një vend periferik i pazhvilluar. Importojmë më së shumti vetura, naftë, energji, ilaçe (pra gjithçka që ka vlerë të lartë) ndërkohë eksporton plastikë, mobilje, tekstile dhe metale të thjeshta (pra minimumin e mundshëm). Kjo do të thotë se po blejmë atë që ka më shumë vlerë dhe shesim atë që ka më pak. Me fjalë të tjera Kosova po punon me muskuj (industri bazike) për të paguar trurin e të tjerëve.

Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një defiçit tregtar por me një ekonomi të ndërtuar mbrapsht. Ekonomia e Kosovës sot po mbahet nga remitancat dhe paratë që vijnë nga jashtë, jo nga forca e saj prodhuese. Kjo është arsyeja pse kemi një pamje “moderne” në rrugë, por një realitet të varfër në ekonomi. Veturat, nafta dhe cigaret janë produkte që konsumohen dhe “avullojnë” brenda ciklit vjetor. Ato nuk krijojnë vlerë të re prodhuese por thjesht nxjerrin valutën jashtë vendit.

Kosova kështu është shndërruar një “Ekonomi Tranziti” ku paratë që hyjnë nga diaspora, kalojnë përmes xhepave të qytetarëve dhe përfundojnë menjëherë te prodhuesit e huaj. Me pak fjalë jemi një shoqëri që konsumon si e pasur, por prodhon si e varfër, dhe ky iluzion nuk mund të zgjasë pa fund pa prodhuar një kolaps strukturor.

Në një ekonomi normale pesha kryesore e importeve do të duhej të ishte tek makineritë, teknologjia, pajisjet dhe lëndët e para që ushqejnë zinxhirët e prodhimit. Kosova fatkeqësisht importon kryesisht për të konsumuar sepse prodhon shumë pak. Pa një zhvendosje të qartë nga konsumi drejt prodhimit, nga importi drejt industrisë dhe nga marzhi i ulët i fitimit drejt vlerës së shtuar, Kosova rrezikon të mbetet e bllokuar përgjithmonë në fundin e zinxhirit ekonomik global.