Policia e Sarandës ka arrestuar ditën e djeshme shtetasen B.M., nën akuzën e ‘Trafikimit të të miturve’, pasi në praninë e saj u gjet 12-vjeçari Ronaldo Tanushi.

Blutë bëjnë me dije se B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë e shfrytëzonte 12-vjeçarin Ronaldo Tanushi për të lypur. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ronaldo prej dy ditësh kërkohej nga familjarët. Babai i tij, bëri apel në media, duke publikuar foton e të birit dhe duke kërkuar nga çdo person që mund ta kishte parë, që ta kontaktonte.