Leo Mesi një rekordmen i vërtetë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. “Pleshti” nuk ka të ndalur, teksa para rreth një muaji theu një rekord historik në Instagram me foton e tij me trofeun e Copa America, i cili ishte i pari i tij me kombëtare.

Ky postim u bë fotoja sportive më e pëlqyer në Instagram ndonjëherë, duke arritur në 19.9 milionë pëlqime atë ditë, ndërsa tani numëron 21.8 milionë pëlqime.

Megjithatë, rekordet e Mesit në rrjetin social Instagram, nuk kanë përfunduar. Sulmuesi 34-vjeçar ka thyer edhe dy të tillë brenda vetëm pak ditëve. Njëri erdhi me postimin e tij për largimin nga Barcelona dhe tjetri për transferimin e tij te PSG.

Tek foto e prezantimit te PSG, Mesi mori 21.1 milionë pëlqime duke u bërë fotografia e dytë me më shumë pëlqime ndonjëherë, ndërsa fotografia në postimin për largimin nga Barca renditet e treta me 20.7 milionë pëlqime.

Tani, Mesi ka 3 postimet më të preferuara apo të pëlqyer të lidhura me sportin në rrjetin social Instagram, duke treguar edhe njëherë se jo më kot është një nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit, me gjashtë Topa të Artë të fituar.