Pati përhapjen më të shpejtë në krahasim me mutacionet e mëparshëm, por varianti Delta i koronavirusit po ngadalësohet. Është ky konstatimi që bëhet në një analizë për këtë mutacion nga e përditshmja franceze Les Echos, që shkruan se ekspertët e OBSH-së janë në mëdyshje mbi faktorët që kanë ndikuar në frenimin e papritur të valës së përhapjes.
Shumica e tyre besojnë se rol në frenimin e shpejtë të përhapjes mund të ketë pasur edhe vaksinimi masiv i popullatës nëpër Europë, megjithatë pikëpyetje ngrihen për faktin se pse shifrat e infektimeve shpërthyen aq shpejtë. Megjithatë, ekspertët thonë se duhet pritur deri në përfundimin e kësaj vale për të përcaktuar edhe veçoritë e këtij mutacioni.
Vende të ndryshme të unionit po përballen me fenomenin e dhënies së certifikatave false të vaksinimit. Me mijëra raste janë zbuluar në Francë, Gjermani e Itali.
Vala e përhapjes së Deltës në Shtetet e Bashkuara është ende në kulmin e përhapjes së saj, teksa infektimet ditore këtë 24-orësh shënuan një rekord të ri prej mbi 186 mijë rastesh, shifra më e lartë e 7 muajve të fundit.
Infektimet po përhapen kryesisht në zona me nivel të ulët vaksinimi, siç është edhe Misisipi ku autoritetet i kanë vendosur shtretërit edhe nëpër parkingje, për të përballuar fluksin e të shtruarve që kanë tejmbushur spitalet.
Vala e infektimeve është në rënie edhe në Rusi, por këtë të shtunë u shënua një tjetër rekord ditor me 816 raste vdekjesh. pergatiti TEMA.