Nga Mero Baze/
Ka tri kategori njerëzish që po tentojnë të krijojnë një debat fals mbi koncertin e këngëtarit Goran Bregoviç, një emblemë e muzikës së ish-Jugosllavisë, i keqpërdoruar më pas nga shpërthimet e nacionalizmave në Ballkan, keqpërdorim që vazhdon akoma, tashmë nga disa “patriotë” shqiptarë.
Në krye të fushatës qëndron Albin Kurti, i cili në fakt nuk ka asnjë problem me Bregoviçin, pasi problemin e ka me Serbinë, të cilën e ka partneren kryesore tregtare në vend. Ai e ka objektiv sherrin me Shqipërinë dhe personalisht me Edi Ramën, me një agjendë të qartë për të thelluar konfliktin me të në emër të “nacionalizmit” . Mund ta kursente Bregovicin se ai, edhe pa të, ka gjetur dhjetëra arsye të krijoj një klimë armiqësore me Shqipërinë, por nuk është se mërzitemi që e gjeti dhe këtë rast. Objektivi I tij për të mposhtur Shqipërinë politike dhe për të zgjeruar tregun me Serbinë armike, është karikatura e vetme e të ashtuquajturit “nacionalizëm” kosovar, i cili në fakt është fiks ajo që i duhet Serbisë në Kosovë.
Madje dhe metodat që po përdor janë tërësisht të huazuara nga Serbia dhe nacionalizimi serb. Po I përdor tifozët “Kuq e Zi”, si tifozat e Cervena Zvedës që “kërcënojnë” me dhunë nëse nuk bëhet siç duan ata. Kjo është gjëja më serbe që Albin Kurti po i ofron Shqipërisë këtë verë.
Albin Kurti e ka të gjithë me Edi Ramën dhe Shqipërinë. Përballja e tij me pushtetin, pafuqia e tij për të menaxhuar gënjeshtrat e veta patriotike dhe mbi të gjitha karakteri i tij frikacak për të përballur me agjendën ndërkombëtar të bisedimeve me Serbinë, e kanë kthyer atë në një skuth të stërkëmbshave ndëshqiptare, për të krijuar probleme të tjera për të mos u marrë me ato për të cilat është votuar.
Bregovic nuk e pengon Albin Kurtin të realizoj ato që ka premtuar në Kosovë, as mirqënien përrallore për shqiptarët, as luftën ndaj nepotizmit dhe farefisnive në pushtet dhe në dashtë as reciprocitetin me Serbinë. Ai thjeshtë i duhet për të mos bërë asgjë nga ato që ka thënë. Bregoviç nuk ka frymëzuar masakra, as me motivet e tij cigane, as me thirrje direkte. Bashkëpunimi i tij me Kusturicen si kineast nuk e bën atë automatikisht një luftënxitës, ashtu siç nuk bën automatkisht patriot Albin Kurtin, fakti që ka bashkëpunuar me Adem Demaçin.
Kategoria e dytë janë një racë këngëtarësh shqiptarë, të cilët nuk kanë lënë këngë serbe e greke pa vjedhur për t’u dukur kompozitor e këngëtarë dhe sot befas duan të bien në sy si patriot, për shkak të hijes ku mund që u bën një muzikant autentik i rajonit. Këta I kuptojë, si gjithë mediokrit që frustrohen nga talentet dhe “patriotizmi” i tyre nuk është se më shkakton më pak bezdi, se muzika e tyre. Kjo është njësoj sikur të thuash që Vaçe Zela duhet ndaluar se ka kënduar në kohën e Enver Hoxhës.
Kategoria e tretë janë një sër kolegësh gazetarë, të cilët I kanë hyrë një debati historiko-shoqëror mbi një moratorium mbi ndëshkueshmërinë e krimeve serbe ndër shqiptarët, që sipas tyre deri atëherë, as Bregovici dhe askush tjetër nga ish Jugosllavia nuk duhet të ftohet në Shqipëri.
Bregovici ka ardhur në Shqipëri kur ka qenë në pushtet Sali Berisha dhe ka qenë i ftuari special i TV Klan, ekranit puthadorë të Sali Berishës. Ka Arthur die Zravko Çoliç. Nuk i pashë të shqetësuar atëherë kaq shumë edhe pse Bregovici mori dhe çelsin e Kryeqytetit dhe Çoliç u prit nia Presidenti i vendit. Bregoviçi nuk po vjen në Shqipëri të mohoj krimet serbe, e as ti kujtoj ato. Po vjen si një muzikant i pranuar ballkanas. E di që e kanë me Edi Ramën edhe pse nuk e ka ftuar ai, por ky është fiks reagimi, që ai ëndërron në këto raste. Kursejani këtë nder!
I mirëkuptojë qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës që ndjehen të frustruar nga ideja se Shqipëria nuk ka të njëjtin standard të refuzimit ndaj Serbisë, kur vjen puna tek pushuesit nga Serbia në Shqipëri, apo këngëtarët nga Serbia, por kjo nuk ka të bëj me patriotizmin, por me iluzionin e tyre se çfarë duhet të refuzojmë nga Serbia. Nga Serbia duhet të refuzojmë nacionalizmin, politiken kriminale ndaj popujve te tjerë, përfshij dhe shqiptaret, duhet te refuzojmë sindromën e Millosheviçit dhe Sheshelit, që duan të dominojnë shoqërinë me nacionalizëm. Vet Kosova nuk refuzon as miellin, as keksat, dhe as gjithë 70 për qind të tregut që e ka nga Serbia.
Shqipëria ka respektuar dhe mbështetur çdo politikë të Kosovës ndaj Serbisë, sa i përket krimeve të luftës dhe historisë së tyre të vjetër dhe të re. Por të thuash se Shqipëria po shet Kosovën se lejon turistë serb të pushojnë në Sarandë, ndërkohë të njëjtët që bëjnë këto akuza, janë thjesht tregtarë të paketave turistike për Mal të Zi apo Turqi, nuk është luftë patriotike ndaj Shqipërisë, por agresion ekonomik ndaj Shqipërisë, jo në emër të Kosovës, por në emër të Malit të Zi, apo Turqisë. Janë të lirë ta bëjnë atë luftë tregtare, por jo të na e shesin si lufte patriotike. Nuk ua kemi ne fajin që nuk ua mbushin mendjen dhe serbëve të shkojnë në Turqi apo Mal të Zi, e jo në Sarandë apo Durrës.
Ajo që po bën Albin Kurti dhe sëra e tij në Kosovë me Bregoviçin, është fiks ajo që ka tentuar të bëj me të, Millosheviçi apo Shesheli, ta përdornin si mish për top, për një revansh nacionalist ndaj një vendi tjetër. Në këtë rast Albin Kurti po e përdor kundër Shqipërisë. Faleminderit, por Shqipëria nuk ka nevojë për “polici patriotike” drejtuar nga Albin Kurti, se çfarë duhet të lexoj, shikojë apo dëgjoj. Personalisht më mirë dëgjoj motive cigane, se sa motivet “patriotike” të Albin Kurtit.