Rey Manaj është mund të konsiderohet zbulimi i madh i Barcelonës gjatë fazës përgatitore. Autor i katër golave në ndeshjet miqësore, futbollisti i Kombëtares Shqiptare ka shfrytëzuar më së miri mundësinë që iu dhanë për t’u stërvitur në ekipin e parë të “blaugranave”, por nuk dëshiron të nxitojë për të ndryshuar klub, edhe pse për të ofertat nuk kanë munguar.
Siç raportohet nga “El Mundo Deportivo”, sulmuesi 24-vjeçar ka tri oferta specifike: nga Cadiz në Spanjë, Sassuolo në Itali dhe Famalicao në Portugali, klube që po konkurrojnë për shërbimet e Manajt, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2023.
Manaj dëshiron të vazhdojë të shfrytëzojë mungesën e të sapoardhurit, Kun Agüero, për të reklamuar veten. Nëse ai vazhdon të shfaqet si goleador në ndeshjet parasezonale, atëherë klube edhe më të rëndësishme pritet të trokasin për shërbimet e tij. Për Barçën është e qartë se 24-vjeçari duhet të shitet.
Orët e fundit, janë shfaqur edhe dy klube që kërkojnë shërbimet e lojtarit shqiptar. Bëhet fjalë për Betisin e Sevillas, në Spanjë, dhe një skuadër të Serisë A, por që nuk i është zbuluar emri.
Katalanët paguan 2.7 milionë euro për sulmuesin për ta blerë nga Albacete, tani po planifikojnë ta shesin për të arkëtuar 5 milionë euro plus bonuset.