Nga Skënder Minxhozi/

I marrin që t’u bëjnë qejfin amerikanëve! Jo, i marrin sepse kanë filluar të zëvendësojnë punëtorët shqiptarë me të huaj (e patë çfarë tha për bangladeshasit?)! E ke gabim, i ka marrë Edi Rama sepse është i çmendur e do të na imponohet si me Bregoviçin! Jo jo, pa lidhje, po i marrin sepse i kanë detyruar amerikanët dhe i tremben burgut nga SPAKU në vjeshtë!

Makina e lajmeve (të rreme), reagimeve, thashethemeve e çdo lloji tjetër marrie, që lidhen me pranimin nga Shqipëria të një numri qytetarësh afganë pas marrjes së vendit nën kontroll nga talebanët, është rivënë edhe një herë në lëvizje me regjim të plotë. Si zakonisht ky përrua psiqik mbarëkombëtar rrjedh nëpër dejet e rrjetit social, sheshit virtual ku rëndom marrin zë edhe mendjet më të prishura të botës dhe ku gjithçka i ngjan pazarit të gjësë së gjallë. Kjo pjesë irracionale dhe e zhurmshme e kësaj ngjarjeje, eklipsoi madje edhe fenomenin e rrallë të dakordësimit të të gjithë faktorëve politikë shqiptarë rreth pranimit të këtij komuniteti në rrezik. As aprovimi i “të padëshirueshmit” Berisha nuk ra në sy.

Anonimët e rrjetit, të cilët mbushin tashmë një pjesë të rëndësishme të kohës publike në vendin tonë, janë të bindur se ardhja e afganëve në Shqipëri ka cilindo shkak, përveçse atë të shpëtimit nga vdekja e linçimi të një grupi personash që ndodhen përballë një regjimi në ngjitje, i cili e ka treguar në shumë pjesë të botës se çfarë është në gjendje të bëjë me fanatizmin fetar që predikon.

Në fakt që Shqipëria është një partnere e bindur e Perëndimit, sa herë që thirret të bëjë pjesën e saj modeste, kjo është diçka e mirë dhe për t’u përshëndetur. Natyrisht që administrata amerikane duhet të ndjehet mirë që një vend i vogël si Shqipëria ofrohet të japë një dorë në momentin e një krize delikate globale, prej të cilës SHBA dhe Perëndimi po dalin me kokën ulur e jo pa turp.

Në anën tjetër, turravrapi drejt llogarive meskine sesa dhe sesi fiton Edi Rama e qeveria shqiptare nga kjo krizë, kanë shumë lidhje me tallavanë e rrjeteve sociale, e pak lidhje me përfitimet reale nga kjo histori.

Dikur Berisha pati pranuar ardhjen e rreth 3 mijë muxhahedinëve iranianë por kjo nuk e ndihmoi të qëndrojë në pushtet në vitin 2013. Kjo gjë vlen edhe për këtë rast. Për Edi Ramën operacioni i afganëve është një ndërmarrje që ja bën politikisht pak më të qetë e komode verën që po kalon mes mërzisë dhe dilemës së vrasjes së kohës, pas fitores së 25 prillit.

Me krizën që ka pllakosur në PD, e majta ka nevojë të tregohet e gatshme për afganët, për të konsoliduar suportin politik të SHBA, por më shumë si një vijimësi e inerci e marrëdhënieve shumë të mira që ka me administratën amerikane, sesa si një oportunitet që u kap në ajër nga Rama për të ndrequr raportet me Uashingtonin.

Përtej kësaj tabloje të cilën këto orë e vizatojnë pak a shumë të gjithë ata që ndjekin ngjarjet politike, ka një nuancë që nuk i ngjet rasteve të tjera, kur qeveritë shqiptare janë të treguar të gatshme të pranojnë kërkesat amerikane të këtij lloji.

Ndryshimi ka të bëjë me faktin e rëndësishëm dhe të paprecedent, të përfshirjes graduale dhe proaktive të administratës amerikane në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Nëpërmjet kanalit gjithnjë e më të reklamuar të reformës në drejtësi, Uashingtoni ka dëshmuar se është gjithnjë e më i gatshëm të flasë më zë e jo me gjeste, për atë që ndodh në skenën tonë politike. Tashmë kemi një figurë madhore si Berisha që ka përfunduar në listën e zezë të Departamentit të Shtetit, kemi një kryetar partie të larguar praktikisht me urdhër nga parlamenti për shkak të të qenit në atë listë, si dhe disa emra të tjerë të njohur që nuk mund të shkelin në tokën amerikane. Në të njëjtën kohë, amerikanët po kërkojnë që në bankën e akuzës për korrupsion e keqqeverisje të shkojnë emra të njohur nga qeveria dhe opozita.

Në këtë prizëm, mikpritja e një grupit afganësh në tokën shqiptare nuk i ngjan kryekëput precedentit iranian të tetë vjetëve më parë. Situata ka ndryshuar cilësisht. Me shumë gjasë hallexhinjtë nga Kabuli do të sistemohen në heshtje e do të bëhen të padukshëm ashtu si edhe iranianët e Manzës disa vite më parë. Kurse mbështetja amerikane gjithnjë e më tepër duket se do të fitohet duke treguar e dëshmuar vullnet politik për të avancuar në planin e brendshëm, sesa me shkelje syri e pirueta në politikën e jashtme, si kjo e refugjatëve afganë.

Situata potencialisht e re që përjetojmë në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, ribën edhe llogaritë në lidhje me ardhjen e kontigjentit afgan në Shqipëri. Këto orë fanatikët e internetit, për inat të Edi Ramës (apo për dashuri të Doktorit), janë gati t’i shpallin afganët si bangladeshas që vijnë të na zenë vendet e punës, apo të thonë se i ka sjellë Xhorxh Sorosi. Duke konkluduar padyshim se “po ja shohim sherrin miqësisë me Amerikën”!

Në këtë fluturim fantistiko-shkencor vetëm një gjë harrohet: nuk e kanë fajin afganët që vijnë nga Kabuli, fajin e kanë pasur dhe e kanë talebanët që kemi mes nesh e që kanë tre dekada që na kanë lënë këtu ku jemi. Prandaj edhe amerikanët dinë t’i dallojnë aq mirë, edhe kur nuk mbajnë çallma e brekushe…