Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka sjellë në fokus foto historike të porteve kryesore të vendit.

“Lajmi se porti i Durrësit do të kthehet në një zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet, pas një marrëveshje për transformimin e tij mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, na ngjalli kureshtjen për të kërkuar mes në dokumenteve arkivore ndyshimin e këtij porti dhe porteve të tjerë që ka pasur vendi ndër shekuj…”, thuhet në njoftimin që shoqëron fotot.

Sikurse çdo vend tjeter që laget nga detet dhe oqeanet, edhe historia e vendit tonë është e lidhur pazgjithshmërisht me ujërat që e lagin. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, të cilët kishin flotën e tyre detare të vendosur në detin Adriatik. Buzë Adriatikut shtrihet porti i Durrësit, më i madhi që ka Shqipëria dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon. Sikurse porti i Durrësit, edhe ai i Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës kanë patur një impakt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social.

“Ndërkohë që Qeveria po shikon mundësinë e disa port-marina jahtesh, në funksion të zhvillimit të turizmit elitar, por edhe për ndërtim infrastrukture, sjellim këtu disa foto historike të pamjeve që ka pasur porti i Shëngjinit në 1925, porti i Durrësit në vitin 1940, Vlora në 1937 dhe porti i Sarandës në vitin 1937, bashkë me një studim-skicë të baseneve të këtyre porteve kryesore në vitin 1924”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.