Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se 51% e të punësuarve me arsim profesional hyjnë në punë që vitin e parë, pas përfundimit të edukimit.
Duke nënvizuar rëndësinë e arsimit profesional, Denaj u ndal te një tjetër shkollë profesionale, që ofron më tepër mundësi për të diplomuarit për t’u integruar në tregun e punës. Sipas Denaj, shkolla e mesme publike profesionale ”Kristo Isak” Berat është zgjedhja e duhur për një të ardhme të qëndrueshme.

Shkolla “Kristo Isak” në Durrës, e ndërtuar me mbështetjen e qeverisë zvicerane, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive ofron një mori profilesh dhe është rruga më e sigurt për një punësim të menjëhershëm. Shkolla ofron mësimdhënie me metoda bashkëkohore në një godinë të sapondërtuar dhe praktikë profesionale pranë bizneseve më të suksesshme.

Studentët mund të zgjedhin mes degëve që ofrohen si ekonomi-biznes, hoteleri-turizëm, shërbim social shëndetësor, bujqësi dhe teknologji ushqimore, dhe të kryejnë praktikën pranë bizneseve. Po ashtu, shkolla ofron bursa për nxënësit nga familje me vështirësi ekonomike dhe me probleme sociale, për vajza në profesione jotipike, nxënës që gjatë studimeve arrijnë një mesatare mbi 9 dhe nxënës, pjesë e komunitetit rom ose egjiptian.