Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës. Projekte madhore si ndërtimi i aeroportit të Vlorës, apo hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë, ashtu si dhe investimet e mëdha në sektorin e hidrokarbureve kërkojnë punonjës të kualifikuar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot se arsimi profesional u ofron të rinjve mundësinë e punësimit të menjëhershëm pas diplomimit.

Denaj solli në vëmendje avantazhet që ofron ndjekja e shkollës së mesme publike profesionale ”Thoma Papapano” në Gjirokastër. “Arsimi Profesional, një mundësi e mirë për profesionistët e së ardhmes. Në gjithë vendin kemi realizuar në dy mandate diplomimin e mbi 100,000 të rinjve dhe të rejave të aftë për tregun e punës. Shkolla e mesme publike profesionale ”Thoma Papapano” Gjirokastër ju ofron një të ardhme pune të sigurt”, tha Denaj.