Barcelona, ​​sipas gazetarit të specializuar në merkaton e futbollistëve, Fabrizio Romano, është në bisedime të avancuara me Spezia e Serisë A për shitjen e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rey Manaj, aktualisht nën urdhrat e Edy Rejas në përgatitjet që po zhvillohen në Varshavë për transfertën e 3 shtatorit me Poloninë. Edhe pse është grumbulluar rregullisht në takimet e para të sezonit nga Ronald Koeman, Manaj, autor i katër golave në testet parasezonale, ende nuk ka debutuar në LaLiga.

Thiago Motta, një ish-mesfushor i Barçës, është trajner i Spezia, skuadër që po kërkon dëshpërimisht një sulmues “pykë” para mbylljes së merkatos verore. Për Rey Manajn pati interes konkret nga dy skuadra spanjoll, Mallorca dhe Rayo Vallecano, si dhe nga Freiburgu në Gjermani, por të gjitha ekipet u tërhoqën, pasi Barcelona kërkoi 3 milionë euro për kartonin e 24-vjeçarit.