Tre avionë zjarrfikës nga Spanja dhe Kroacia janë bashkuar me përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar zjarret që përfshijnë jugun e Turqisë, tha Komisioni Evropian, ndërsa tetë zjarre të veçanta mbeten të pakontrolluara. Një avion nga Kroacia u ul në provincën jugore të Antalias, të hënën, ndërsa dy kanadezë nga Spanja mbërritën sot në qytetin Mugla. ”Të paktën 154 zjarre të mëdha shpërthyen në Turqi gjatë javës së kaluar”, tha sot zyra e presidentcës, katastrofa më e keqe e zjarrit në dekada. ”Tetë zjarre vazhdojnë në qytetet Antalia, Mugla dhe Isparta”, shtoi ajo.
Qeveria u kritikua për mungesën e gatishmërisë dhe vonesën në marrjen e masave në një rajon, i cili historikisht është i prirur për zjarre shkatërruese. ”Ukraina, Rusia, Irani dhe Azerbajxhani kanë vendosur veçmas aeroplanë zjarrfikës në Turqi”, njoftoi AA.
Të nxitur nga temperaturat e larta të verës, flakët godasin veçanërisht përgjatë brigjeve jugore dhe pikat e nxehta të turizmit. Zjarret në Mugla kërcënojnë të arrijnë në një termocentral të madh, paralajmëroi në Twitter, Muhammet Tokat, kryetari i bashkisë së Milas. ”Deri më tani, tetë persona vdiqën nga zjarret dhe 47 persona po merrnin trajtim në spitale”, tha ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.