Pas stabilizimit të situatës së zjarreve në tunelin e Kalimashit, tashmë të përqendruar me forca nga toka dhe ajri vijon puna për të shuar zjarrin në fshatin Thirrë të Mirditës, ku mbetet problematike përhapja e flakëve në pjesën e malit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një përditësim të betejës me zjarrin, theksoi se vatra e zjarrit pranë tunelit të Kalimashit është shuar, ndërsa forca nga toka dhe ajri punojnë për të shuar zjarrin në fshatin Thirrë të Mirditës.

“Të përqendruar me forca nga toka dhe ajri për të shuar zjarrin në fshatin Thirrë të Mirditës, ku u stabilizua situata pranë tunelit, por mbetet problematike përhapja e flakëve në pjesën e malit. Vijon puna në “Majën e Rrunës”, ku në koordinim të plotë mes FA të Shqipërisë dhe FS të Kosovës po punohet për të izoluar vatrat tek zona Qafa e Kumbullës, Laku i Mollës dhe Laku i Qershive, ku terreni i pjerrët dhe shkëmbor ndërlikon punën e forcave. Problematike është situata në vatrën mbi fshatin Dukat, në Gadishullin e Karaburunit, e cila ishte stabilizuar më herët, por ka patur një rindezje të flakëve”, shprehet Peleshi.